
Vetëvendosje në Vushtrri për Xhafer Tahirin: Nuk kemi votë për të
Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri nuk do ta përkrahë kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komune, Xhafer Tahiri, i cili në zgjedhjet e 17 tetorit ka dalë i dytë në këtë komunë.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahen më 14 nëntor në garë janë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (LDK), Ferit Idrizi dhe kryetari aktual i komunës nga LDK-ja, Xhafer Tahiri.
Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri ka dalë e treta në zgjedhjet e 17 tetorit.
Gresa Muli, nënkryetare e parë e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, ka thënë për gazetën “Blic” se tashmë ka një qëndrim dhe disponim në këtë subjekt politik se kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Xhafer Tahiri nuk do ta ketë përkrahjen LV-së në raundin e dytë.
“Në opsion as tash e as në të ardhmen nuk është kandidati i LDK-së. Sot ose nesër do të kemi një mbledhje në Vushtrri për të diskutuar disa tema. Të shohim dhe analizojmë rezultatin e LV-së në Vushtrri, por edhe këtë se LV-ja nuk do ta përkrahë Tahirin në Vushtrri”, ka thënë Muli.