
“Veto Republikës – nuk kalon”: Kadaj-Bujupi reagon për procesin e konstituimit të Kuvendit
Këshilltarja e Presidentes Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se vullneti i qytetarëve nuk mund të pezullohet përmes masave të përkohshme, pasi ai mishërohet në Sovranitetin e Republikës, bartës i së cilit është vetë Kuvendi.
Ajo ka paralajmëruar se çdo tentativë për bllokimin e konstituimit të Kuvendit përbën tentativë për pezullimin e demokracisë. Sipas saj, Gjykata Kushtetuese do të vendosë një precedent të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve, me shpresën se “e drejta dhe Kosova do të peshojnë më së shumti në kanarin e kësaj Gjykate”.
“Veto Republikes – nuk kalon!
Vullneti i qytetarëve nuk pezullohet me masë të përkohshme. Ai merr formë e jetësohet përgjate historisë së rezistencës e sakrificave të popullit tonë. Sot, vullneti i qytetarëve rikuptimësohet si Sovranitet i Republikës – bartës i së cilit është Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Thirrja në kinse argumente procedurale nuk mund të përdoret si mekanizëm bllokimi i legjitimetit demokratik. Sepse parakusht i demokracisë eshte barazia, e barazi eshte barazia për të gjithë. Mbi këto themele ndërtohet Republika e Kosoves.
Çdo tendencë për bllokim të konstituimit të Kuvendit, është tendencë për pezullim të demokracisë, tempull i së cilës është pikërisht ky institucion. Edhe njëherë theksoj rëndësinë e precedentit të cilin Gjykata Kushtetuese pritet ta vendosë me aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit, me shpresën që e drejta dhe Kosova të peshojnë më së shumti në kanarin e kësaj Gjykate”, ka shkruar Kadaj-Bujupi.