Veton Berisha i hapur për takim me Konjufcën: Nuk kam vija të kuqe për askënd, por nuk më ka kontaktuar

06 nëntor 2025 | 11:51

Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me mandatarin për kryeministër, Glauk Konjufcën, nëse merr ftesë. Ai ka thënë se nuk ka “vija të kuqe” ndaj askujt, por se çdo bashkëpunim duhet të bazohet në marrëveshje për bashkëqeverisje.

“Besoj se qëndrimin tim e dini se nuk jam pengues. Nuk më ka kontaktuar ende. Nëse më kontaktojnë, jam i gatshëm për takim. Nuk kam vija të kuqe për askënd nëse pajtohemi paraprakisht, shkojmë në bashkëqeverisje, nëse jo, jemi në rregull”, ka thënë Berisha për “RTV21”.

Berisha kishte abstenuar në votimin e Albin Kurtit më 26 tetor, kur ky i fundit ka marrë vetëm 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime. Ai, bashkë me deputeten boshnjake Duda Balje, ka shfaqur skepticizëm për mbështetjen e një qeverie pa marrë parasysh kërkesat e pakicave joserbe.

Presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar Konjufcën më herët si kandidatin e dytë të LV-së për kryeministër, ndërsa kjo parti beson se brenda 15 ditëve do të arrijë t’i sigurojë 61 votat e nevojshme.

Megjithatë, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Konjufcën, duke theksuar se “mandatari nuk trashëgohet në mungesë të numrave.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madrid e ka bërë plotësisht të qartë qëndrimin e…