
Vetura përplas biçiklistin në Bresje, 10-vjeçari në gjendje të rëndë në QKUK
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje paradite në fshatin Bresje të Fushë Kosovës, ku një fëmijë ka mbetur me lëndime të rënda pasi u përplas nga një veturë.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 10 gusht 2025, rreth orës 10:10, përballë pompës së derivateve “Kastrati”, në afërsi të semaforëve. Në aksident janë përfshirë një veturë VW Golf V, ngjyrë e zezë, e drejtuar nga Agim Mustafa rreth 50-vjeçar nga fshati Krojmir i Lipjanit dhe një biçikletë e zezë që drejtohej nga një fëmijë.
Viktima është identifikuar si E. Ramadan H. rreth 10-vjeçar, me banim në lagjen 29 të Fushë Kosovës. Fillimisht ai u dërgua në QKUK – Emergjencë, ku pas mbërritjes së prindërve u konfirmua se ndodhet në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije. Aktualisht është i shtruar në repartin e Intensivës së Pediatrisë në Prishtinë.
Njësia e Trafikut Rajonal po heton shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.