VIDEO | Tifozët e Kosovës turpërohen me fishkëllimat ndaj Granit Xhakës
Granit Xhaka u përcoll me fishkëllima sa herë që prekte topin në stadiumin “Fadil Vokrri”., ndërsa një pjesë e tifozëve të Kosovës dëgjohen duke reaguar negativisht ndaj kapitenit të Zvicrës. Kjo sjellje e papritur ka ngjallur debat të gjerë, pasi shumëkush e ka cilësuar të turpshme dhe të padrejtë ndaj një futbollisti që gjithmonë ka treguar krenari për rrënjët e tij shqiptare.
Xhaka prej vitesh i ka promovuar me krenari simbolet dhe prejardhjen shqiptare, ndërsa festimet e tij me shqiponjën dykrerëshe kundër Serbisë kanë bërë krenar mbarë kombin. Pikërisht për këtë arsye, fishkëllimat e sotme janë pritur me reagime të forta nga figura publike.
Ndër të parat që ka reaguar ka qenë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka kujtuar ndikimin historik që festimet e Xhakës kanë pasur në imazhin e Kosovës. Ajo ka thënë se “kush i fishkëllen Granit Xhakës, i fishkëllen historisë sonë”, duke rikujtuar se pas golave ndaj Serbisë, mediat më prestigjioze botërore u rikthyen te lufta e Kosovës, gjenocidi serb, diaspora dhe sakrificat e familjeve shqiptare – përfshirë edhe babanë e Xhakës, ish-të burgosur politik.
Reagimi i radhës ka ardhur nga ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili është shprehur shkurt e qartë: “Marre po më vjen që po i fishkëllohet Xhakës! Marre!”. Ai shtoi se një sjellje e tillë nuk përfaqëson vlerat e tifozëve të vërtetë të Kosovës.
Ndërkohë, ngjarja ka shkaktuar diskutime të shumta në rrjete sociale, me shumicën e qytetarëve që dënojnë ashpër këtë veprim, duke kërkuar më shumë respekt për futbollistët që kanë ngritur lart emrin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.



