Vigan Qorrolli konfirmohet deputet i Kuvendit të Kosovës
Vigan Qorrolli është konfirmuar deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e re, pasi ka siguruar numrin e nevojshëm të votave në zgjedhjet e fundit.
Me këtë rast, Qorrolli ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë ndaj qytetarëve që i besuan votën, duke theksuar se ky mandat për të nuk përbën një shpërblim personal, por një përgjegjësi të madhe publike.
“Jam thellësisht mirënjohës dhe i përulur nga besimi që më kanë dhënë qytetarët për të qenë përfaqësuesi i tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky besim është një obligim për të punuar me përkushtim, ndershmëri dhe respekt ndaj çdo qytetari”, ka deklaruar ai.
Sipas Qorrollit, afro 19 mijë qytetarë i kanë dhënë mbështetje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e bërë atë pjesë të legjislativit të ri. Ai ka theksuar se do të jetë deputet i të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike.
Në deklaratën e tij, Qorrolli ka falënderuar gjithashtu Kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! për besimin e dhënë, duke e cilësuar këtë mandat si pjesë të “epokës së ndryshimit” që, sipas tij, po ndërtohet në Kosovë.
Ai ka theksuar se angazhimi i tij do të fokusohet në forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në punë dhe përgjegjësi.
“Rruga përpara nuk është e lehtë, por është e drejtë. Me përgjegjësi dhe vendosmëri do të ecim përpara për Kosovën që e meritojmë”, ka përfunduar Qorrolli.



