
Villa: Yamal i pabesueshëm, ka të ardhme të frikshme përpara
Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe fitues i Champions League, David Villa, ka shprehur publikisht admirimin e tij për yllin e ri të katalanasve, Lamine Yamal, duke e cilësuar atë si një fenomen të rrallë që duhet mbështetur dhe mbrojtur nga të gjithë.
Në një intervistë për Marca, Villa u shpreh: “Lamine Yamal nuk pushon së na befasuari. Nuk është vetëm ajo që bën me topin, por edhe mënyra si e kërkojnë shokët e ekipit në fushë. Në ndeshjen ndaj Inter-it, në fund pata ndjesinë se të gjithë po i jepnin atij topin, sepse e dinin se ai ishte ai që mund ta vendoste lojën”.
Villa vlerësoi pjekurinë dhe ndikimin e Yamal, pavarësisht moshës së re: “Në moshën 17-vjeçare, të kesh atë aurë brenda një klubi si Barça është diçka e jashtëzakonshme. Ai e transmeton atë ndjesi të veçantë që është shumë e rrallë në futboll”.
Por legjenda e “blaugranave” paralajmëroi edhe për nevojën për kujdes: “Duhet ta mbështesim, ta ndihmojmë dhe ta kuptojmë, sepse do të ketë edhe momente të vështira, është ende një fëmijë. Por ai ka një të ardhme të frikshme përpara, dhe është një nga talentet më emocionues që kam parë prej vitesh”.