Vinicius iu kërkon falje të gjithëve, por jo edhe trajnerit Alonso

29 tetor 2025 | 16:01

Pas dy ditësh me kritika të forta nga ana e shtypit spanjoll për sjelljen e tij në “El Clasico”, Vinicius Junior më në fund e ka thyer heshtjen.

Braziliani ka dashur të kërkojë falje publike për reagimin e bërë në momentin e zëvendësimit, rast ky që i rriti tensionet në dhomat e zhveshjes së Real Madridit dhe me trajnerin Xabi Alonso.

“Sot dua t’ju kërkoj falje krejt madrilenëve për reagimin tim kur u zëvendësova gjatë El Clasicos”, shkroi sulmuesi brazilian në rrjetet e tij sociale.

“Siç e kam bërë edhe personalisht në ushtrimet e sotme, dua t’ju kërkoj falje bashkëlojtarëve, klubit dhe presidentit”, shkroi tutje futbollisti, pa e përmendur trajnerin bask.

Vinicius më pas u mundua ta shpjegonte arsyen e gjestit të tij, duke e lidhur me natyrën e tij konkurruese.

“Ndonjëherë, pasioni dhe dëshira për të fituar të mbizotërojnë. Karakteri im lind nga dashuria që e ndjek për këtë klub dhe për krejt atë që e përfaqëson ai. Premtoj se do të vazhdoj të luftoj në çdo sekondë për të mirën e Real Mdridit, siç kam bërë nga dita e parë”, shtoi Vini Jr.

Por, çështja duket se nuk është mbyllur tërësisht.

Sipas mediave spanjolle, do të jetë trajneri Xabi Alonso ai që do të vendosë nëse do të ndërmarrë masa disiplinore apo jo me lojtarin.

Një detaj, nuk ka mbetur pa u vërejtur: në kërkim faljen publike, Vinicius i përmendi tifozët, bashkëlojtarët dhe kryesinë e klubit, por jo edhe trajnerin.

Një shenjë që ndoshta tregon se raporti mes dyshes mbetet ende i ngurtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas raportimeve nga “Fichajes.net”, Bayern Munich nuk do ta ushtrojë…