
Visoka: Krizë politike në Kosovë do ta thellojë mosbesimin e qytetarëve ndaj disa liderëve
Kriza aktuale dhe paraliza politike e krijuar në Kosovë duhet të shërbejë si një nxitje për të rimenduar dhe rindërtuar kulturën politike, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, dr. Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë.
“Politika nuk është vendosje e një grupi kundrejt të tjerëve, por është dialog dhe kompromis”, ka thënë Visoka.
Sipas tij, dështimi i njëpasnjëshëm për të konstituuar Kuvendin e Kosovës po e thellon edhe zhgënjimin qytetar.
Visoka ka thënë se mungesa e ndërhyrjes ndërkombëtare këtë herë duhet të shërbejë si sinjal për partitë politike se ky është një test i pjekurisë së Kosovës si shtet, dhe i aftësisë për ndërrim të qeverive dhe pushteteve pa ndërhyrje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.
“Mendoj se kjo krizë do ta thellojë mosbesimin e qytetarëve ndaj disa prej liderëve politikë. Mund të kemi bojkotim ose ndëshkim nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme. Duke marrë parasysh gjithashtu shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe të çmimeve të jetesës, mund të presim një ndryshim në sjelljen politike të elektoratit pragmatik”, ka thënë Visoka.
Partitë politike, edhe tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare, ende nuk po arrijnë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, proces që ka nisur më 15 prill.
Ky proces po ngec për shkak se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të LV-së për kryeparlamentar.
LV-ja insiston se Haxhiu është kandidate e merituar dhe, ndonëse ka kërkuar një marrëveshje politike, e ka përjashtuar mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër.