Viti 1997: Agim Maka pret përfaqësuesit amerikanë në Junik, diplomatin Michael McClellan dhe Bonkovskin

28 qershor 2025 | 12:05

Në një kohë kur Kosova përballej me sfida të mëdha politike e shoqërore, në pranverën e vitit 1997, një vizitë me rëndësi të veçantë u zhvillua në komunën e Junikut – një vizitë që pasqyronte interesimin dhe vëmendjen ndërkombëtare për zhvillimet në këtë pjesë të Kosovës, shkruan Gazeta Projekti.

Majkëll Mekllellën, udhëheqës i punëve rreth Zyrës Amerikane që do të hapej së shpejti në Prishtinë, dhe zonja Elizabet Bonkovski, sekretare e dytë në Ambasadën Amerikane në Beograd, qëndruan për një vizitë zyrtare në qytetet e Pejës dhe Junikut. Ata u pritën me respekt dhe interes të madh nga përfaqësues vendorë e qytetarë.

Në Pejë, zyrtarët amerikanë u takuan me Ymer Muhaxherin, kryetar i Degës së LDK-së, dhe Tahir Demajn, kryetar i Nënkëshillit të KMDLNJ-së. Ata i informuan për gjendjen politike dhe sociale në komunë, si dhe për sfidat me të cilat përballej popullata nën regjimin e atëhershëm serb. Në këtë takim u diskutua edhe për format e bashkëpunimit me Zyrën Amerikane në Prishtinë, e cila ishte hapur me 6 qershor 1996.

Pas Pejës, delegacioni amerikan vizitoi Junikun, ku u prit nga Agim Maka, kryetar i Degës së LDK-së në këtë lokalitet. Z. Maka i informoi mysafirët për situatën e përgjithshme në rajon, duke vënë theks të veçantë në sfidat që përjetonte komuniteti në fushat e arsimit dhe të shëndetësisë.

Gjatë qëndrimit në Junik, përfaqësuesit amerikanë patën rastin të vizitojnë edhe disa nga kullat tradicionale shqiptare – një simbol i trashëgimisë kulturore dhe rezistencës së popullit të kësaj ane.

Kjo vizitë jo vetëm që shënoi një moment të rëndësishëm diplomatik për zonën e Dukagjinit, por gjithashtu konfirmoi se komuniteti ndërkombëtar po e ndiqte me vëmendje situatën në Kosovë dhe po kërkonte mënyra për të qenë më afër qytetarëve të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës kanë arrestuar V.P., organizatorin e një udhëtimi…