Vitia: E kemi obligim moral t’i përkrahim organizatat e dala nga lufta

09 nëntor 2021 | 15:27

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka vizituar Degën e OVL-UÇK-së në Prishtinë.

Ai është pritur në takim nga kryetari i kësaj dege,  Sylë Vitia, me të cilin ka biseduar për sfidat e kësaj kategorie. Vitia ka thënë se Komuna e Prishtinës e ka obligim institucional e moral që t’i ndihmojë organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

“Patëm nderin të bashkëbisedojmë me kryetarin dhe natyrisht atë që e tha zoti Vitia se do të angazhohemi dhe të kemi një bashkëpunim korrekt për realizimin e kërkesave të drejta e ligjore të kësaj kategorie që është obligim institucional dhe të nivelit lokal. Folëm për shumë kërkesa legjitime nga ana e shoqatës për të cilën komuna e Prishtinës e ka obligim institucional dhe moral t’i ndihmojë kësaj kategorie”, ka thënë Vitia.

Ndërsa kryetari i Degës së OVL-UÇK-së në Prishtinë, Sylë Vitia, ka thënë se kërkesat e tyre janë të bazuara në ligjet në fuqi, për çfarë edhe kanë marrë mbështetjen e kandidatit të Vetëvendosjes.

“Sot patëm takim me kandidatin për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, çka e falënderojmë për vizitën e tij. Në këtë vizitë shpalosëm kërkesat dhe nevojat e kësaj kategorie, kërkesa këto të bazuara në ligj. Nga Vitia morëm premtime se nëse zgjidhet kryetar do t’i realizojë të drejtat tona ashtu siç janë të përcaktuara me ligj”, ka thënë Vitia. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mediat turke e kanë dhënë lajmin e lidhjes së këngëtarit…