Vizita e deputetëve të Kuvendit të Serbisë dhe kërkesat e të burgosurve shqiptarë

29 qershor 2021 | 17:53

Rrëfime nga i burgosuri e i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani

Duke qëndruar unë me Hasanin në të njëjtin burg në Nish, mu kujtua edhe bashkëvendësi im Arif Ramadan Hoxha, i cili menjëherë pas luftës së dytë botërore ishte dënuar më 12 vite ndërsa i kishte mbajtur diku rreth 9 vite po në këtë burg të Nishit. Nga baca Arif kam mësuar në ndeja që kisha me të dhe vetëm me të në odën e tij mësonim shumë për të kaluarën e tij dhe të popullit tonë. Për burgjet, për qëndrimin në burgje, për jetën pas burgjeve, për izolimet pas burgjeve kur vinte ndonjë funksionar i lartë komunistë apo kur vinte Titoja në Kosovë e izolonin bacën Arif për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste figura e tij politike si nacionalist e separatist që ishte. Ishte dënuar me grupin e Ballit Kombëtar, që në programet e tyre kërkonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, që ishte e drejtë historike dhe kombëtare.

Baca Arif, ishte frymëzues i brezave dhe i imi në luftën tonë për liri, ishte i matur, i thjeshtë, i dashur dhe me emër të madh. Ai nga vitet e nëntëdhjeta ishte në këshillin e pajtimit të gjaqeve, sepse këtë e shikonte pajtimin si shërim të plagëve brenda vëllavrasjes dhe kthimit të përgatitjes për një front kundër Serbisë, bashkërisht pa hakmarrje ndaj njëri-tjetrit. Ishte ithtar i luftës për çlirimin e Kosovës. Ishte për diplomacinë paqësore, por vetëm lufta arrin qëllimin. Për këto gjëra ai kishte përvojën e burgjeve që kishte kaluar me njerëz të profileve të ndryshme dhe atdhetar që vuajtën burgjeve për liri. Të gjithë e mbajnë në mend këtë njeri që blinte gazetën “Rilindja” dhe e lexonte. Ishte nën vëzhgim të policisë sekrete, por ashtu në izolim të aktivitetit, ai jepte mesazhet e bashkimit, të luftës  dhe dashurisë për njeri tjetrin. Pamja e tij tregonte e jepte shpresë e qëndresë, sepse thoshte ne duhet të qëndrojmë e të luftojmë për liri.

Në burgun e Nishit kishim të drejtë me ble gazeta. Aty ishin abonuar disa të burgosur dhe na vinte gazeta çdo ditë. Në gazetë shkruante për luftën që zhvillohej në Luginë të Preshevës,  Bujanocit e Medvegjës, dhe që si zakonisht aty shkruanin për sukseset e policisë dhe ushtrisë Serbe. Në pavijonin tonë, tashmë kishim edhe të burgosur që akuzoheshin si pjesëmarrës të kësaj lufte, por edhe si ushtarë të UÇPMB-së. Po ashtu, lexonim dhe dëgjonin edhe për vrasjen e komandant “Lleshit”- Ridvan Qazimit, dhe rëndësinë e marrëveshjes së Konçulit, ku serbët e paraqiteshin si arritje të madhe të fitores së tyre dhe zhbërje të UÇPMB-së.

Gazetat shkruanin edhe për luftën që zhvillohej në Maqedoni, në mes UÇK-së dhe policisë e ushtrisë maqedonase. Edhe këtu kishte filluar lufta pasi me mjete paqësore nuk ishte arritur e drejta për liri dhe barazi të popujve, dhe shqiptarët nëpërmes pushkës dëshironin ta arrinin lirinë e munguar.

Megjithatë, atje në Maqedoni kishin dalë edhe teza të ndryshme si ndarja e Maqedonisë dhe hapja e kutisë së Pandorës dhe mundësia e një lufte të re në Ballkan. Intervenimi i faktorit ndërkombëtar që ishe i menjëhershëm dhe i NATO-s si garantuese ushtarake e kësaj marrëveshje, arrihet deri të nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas. Marrëveshje që hapte mundësitë e barabarta në Maqedoni si shtet i qytetarëve të saj. Kështu që, në gjitha këto ngjarje ishim pjesë e përditshme dhe pamundësia për pjesëmarrje, por ishim si vëzhgues nga burgjet. Hapa të mirë drejt realizimeve të ëndrrave shekullore të shqiptarëve po ndodhin.

Duke u shëtitur në korridor e duke biseduar me  Isakun, Besimin e Naimin, televizioni serb jepte drejtpërdrejtë lajmet për sulmet në kullat binjake më 11 shtator 2001. Ishte e tmerrshme të shihje avionët duke sulmuar kullat binjake. Ishte sulm terrorist. Ishte shokuese për mua. Ishte e pa parë asnjëherë në historinë e njerëzimit kësi sulme terroriste kundër një shteti siç ishte Amerika. Amerika ishte sulmuar nga  terroristët. Amerika ishte garantuese e paqes në botë, por kishte kundërshtar të fortë anë e kënd botës. Shqiptarët ishin aleatë të Amerikës thuaja ndër shekuj. Ne mbanim mend ndihmat që na ka dhënë në mbrojtjen e çështjes shqiptare. Prandaj ne ishim pro-amerikanë në zemër, në shpirt, në qëndrime si shtet dhe mbronim vlerat e njëjta amerikane mbi demokracinë dhe lirinë. Bombardimet dhe çlirimi i Kosovës ishte edhe meritë e SHBA-së dhe presidentëve të tyre në mbrojtje të lirisë.

Prandaj ne duke shikuar ngjarjen e rëndë luteshim për shpirtrat e viktimave dhe familjet e tyre.

Nga rutina që kishim këto ditë dhe debateve në Kuvendin e Serbisë për lirimin tonë, të burgosurve shqiptarë, te ne vjen gardiani dhe na thotë që do të vjen një delegacion i deputetëve  nga Kuvendi i Serbisë për vizitë, duhet t’i pastroni e rregulloni dhomat e korridorin.

Sipas urdhrit u morën me rregullimin e shtretërve, secili dhe të dhomave po ashtu. Me disa aty  filluam të bisedonim se nëse na pyesin a kemi çka me fol dhe me u ankuar te delegacioni serb. Secili thuaja se ishim të të njëjtit mendim. Të gjithë do i shprehim kërkesat tona dhe do të kërkojmë lirimin tonë.

Kur erdhën deputetët e Kuvendit të Serbisë, u prezantuan si anëtarë të Komisionit të ligjeve nga Kuvendi i Serbisë dhe nga partitë që përfaqësojnë. Disa thanë, jemi nga partia radikale e Sheshelit, disa të socialistëve dhe do të partive në pushtet të Gjingjiqit e Koshtunicës. Arsyeja e ardhjes së tyre ishte për të parë nga afër gjendjen në burgje dhe kushtet e të burgosurve. Ne u mblodhëm në sallë. Ata në një anë e ne përballë tyre. Ata shpjeguan qëllimin e vizitës së tyre dhe pyetën, a ka kush nga në që të pyes.

I shikova ata që thoshin se do t’i pyesim për këtë e atë. Asnjeri nuk foli. Mora fjalën, u tregova kush jam edhe pse ata e dinin, disa luanin kokën në shenjë se e dimë kush je. Fillova të tregoj për gjendjen në burgje, për kushtet e rënda, për vizitat e familjeve, për sjelljet e gardianëve, për ushqimin që shërbehej në burgje. Dhe dola në temë që ne si Shqiptar pavarësisht nga veprat që na ngarkojnë, nga dhjetë qershori jemi pengje nga shteti i Serbisë që na kanë marrë nga burgjet e Kosovës dhe na kanë depërtuar në Serbi. Ne asnjeri nuk kemi bërë ndonjë vepër në Serbi që të jemi pjesë e dënimit në këto burgje. Nëse janë bërë veprat atëherë sipas ligjeve atje ku e ke kryer veprën duhet të vuash edhe dënimin. Ne jemi të marr peng dhe kërkojmë të na ktheni në Kosovë. Tashmë ndryshimet politike në Serbi duhet të tregohen që në politikën serbe kanë bërë ndryshime dhe të burgosurit që mbahen pengje nga qeveria e kaluar të lirohen apo të kthen në burgjet e Kosovës. Atje i kanë edhe afër familjet dhe vizitat familjare. Tashmë lufta ka mbaruar dhe në bazë të rezolutave të Kombeve të  Bashkuara, Serbia është bombarduar dhe nga Kosova janë larguar administrata serbe dhe policia e ushtria e Serbisë. Tani në Kosovë kemi një  administratë ndërkombëtare, dhe në këtë formë ne si të burgosur duhet të jemi atje në vendin tonë. Ju nuk keni nevojë që në këtë kohë e në këtë shekull të ri të mbani pengje ende.

Nga përgjigjet e tyre kuptova se ata nuk kishin çfarë të thoshin përveç dënimeve shtesë që mund të kërkonin. Ata tashmë shikonin se si po kemi guxim të flasim dhe kundërshtojmë. Të gjitha këto ishin të bazuara në  rezoluta e dokumente ndërkombëtare mbi të drejtat e të burgosurve dhe pengjeve të luftës. Në bazë të këtyre konventave, ne kërkonim kthimin në Kosovë si dhe trajtimin njerëzor. Pas një debati ku pas meje diskutuan dhe dy a tre të burgosur të tjerë, përfundojë biseda, ata u ngritën e u nisën për të dalë nga salla, duke kthyer kokën pas e duke na shikuar. Pasi ata na shikonin, mua në kokë më erdhën shkrimet e ndryshme të historianëve tonë që kishin shkruar për Nishin. Kishin shkruar për ‘Mollën e Kuqe’, kishin shkruar për dëbimet masive, vrasjet dhe torturat ndaj burrave e pleqve dhe fëmijëve nga Nishi dhe rajoni i Nishit  në vitet 1870 në kohën e Obrenoviqëve. Duke kujtuar më dolën përpara edhe vuajtjet në këtë burg të Nishit se sa shqiptari ka kaluar jetën gjatë shekullit të kaluar. Këtu kishte qenë  për pak ditë edhe Idriz Seferi, një nga drejtuesit e më pastajshëm të lëvizjeve shqiptare për Pavarësi me 1912. Në kohën e mbretërisë ky burg kishte qenë si inkuizicion kundër  shqiptarëve me tortura. Por edhe pas luftës së dytë botërore ky burg ishte tmerr për shqiptarët. Sa nënat kanë mbete pa i pa kurrë fëmijët e tyre, sa eshtrat kurrë nuk iu kanë kthye familjeve të tyre. E sa e sa vuajtje kanë hequr shqiptarët deri me 1999 si dhe ne këtu të burgosurit e fundit shqiptar në burgjet e Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkë me stafin…