Vizita e Donald Trumpit në Japoni, test i ri për aleancën trans-paqësore

01 nëntor 2025 | 09:04

Shkruan: Hisen Berisha 

Vizita e Donald Trump në Japoni po shihet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të javëve të fundit në arenën ndërkombëtare. Kjo nuk ishtë vetëm një vizitë protokollare apo një ndalesë e zakonshme në kalendarin diplomatik të presidentit amerikan Trump, por një provë reale për mënyrën se si do të riformulohen marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë në kontekstin e ri të politikës globale.

Kthimi i Trump dhedoktrinës së tij në skenën ndërkombëtare ka rikthyer edhe debatet për karakterin e politikës së jashtme amerikane: a është ajo ende e përqendruar në sistemin e aleancave tradicionale, apo po shkon drejt një doktrine më transaksionale, ku gjithçka balancohet në mes kostos dhe leverdisë?
Pikërisht për këtë arsye, Japonia shihet si testi i parë serioz për të matur qëndrueshmërinë e këtij kursi të veprimit.
Aleanca SHBA–Japoni ka qenë për dekada themeli i arkitekturës së sigurisë në Indo-Paqësor, por sot ajo po përballet me sfida të reja, nga rritja e agresivitetit kinez dhe programi bërthamor i Koresë së Veriut, deri te konkurrenca ekonomike dhe kursi i vepriimit politik të vetë Uashingtonit.

Në anën japoneze, pritjet duken të mëdha. Kryeministrja djathtiste Sanae Takaichi kërkon të tregojë se Japonia është gati për një rol më të fuqishëm global, duke rritur shpenzimet për mbrojtje dhe duke hapur debatin për ndryshime kushtetuese që do t’i japin Tokios më shumë fleksibilitet ushtarak. Kjo është pikërisht ajo që Uashingtoni ka kërkuar, një Japoni që jo vetëm mbështetet në ombrellën amerikane, por edhe kontribuon aktivisht në sigurinë rajonale.

Për Presidentin Trump, kjo vizitë është më shumë se një gjest miqësor. Ai synon të tregojë se Amerika mund të rikthehet si forcë udhëheqëse në Azi pa u angazhuar në luftëra të kushtueshme, por duke kërkuar që aleatët të marin përgjegjësitë politike, ushtarake dhe koston, pra të “paguajnë pjesën e tyre”. Me këtë logjikë, Japonia shihet si aleati model; ekonomikisht i fuqishëm, por që duhet të marrë mbi vete më shumë përgjegjësi ushtarake.

Në këtë kontekst, marrëdhëniet ekonomike janë po aq delikate sa ato të sigurisë në Doktrinën Trump.
SHBA kërkon bilanc më të drejtë tregtar dhe më shumë investime amerikane në tregun japonez, ndërsa Tokio përpiqet të shmangë tarifat e reja dhe politikat proteksioniste të Trump. Dilemat e vjetra, midis partneritetit strategjik dhe interesave ekonomike kombëtare, ishin thelbi i takimit SHBA–Japoni, dhe përcaktoj edhe tonin e kësaj vizite.

Në ujë dhe në ajër, “Zoti” i sigurisë globale përfshirë dhe atë japoneze mbetet Amerika. Me 186 nëndetëse të armatosura konfidencialisht, Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë fuqinë absolute që garanton paqen në Indo – Paqësor.
Në takimin me Presidentin amerikan, kryeministrja japoneze pranoi pothuajse çdo kërkesë të Uashingtonit, që nga marrëveshjet tregtare për ekonominë, e deri te bashkëpunimi i zgjeruar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kështu, dy shtetet që dikur ndaheshin nga një konflikt i përgjakshëm e i paimagjinueshëm, sot synojnë të ndërtojnë partneritet të thellë ekonomik dhe strategjik, duke dëshmuar se në politikën globale fuqia mbetet garancia më e qëndrueshme e paqes.

Por nën mirazhin diplimatik japonez ekziston edhe një dilemë më e thellë politike. Japonia, megjithë afrimin e saj tradicional me SHBA-në, fsheh shqetësimin për retorikat dhe paparashikueshmëinë e Trump, politikat e befta tarifore dhe presioni mbi aleatët për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, dhe qëndrueshmërinë e angazhimit amerikan.

Nëse vizita nuk do të prodhonte garanci të qarta për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në rast krize, atëherë Japonia mund të detyrohet në një kurs veprimi në politikën e jashtme më të pavarur dhe më të balancuar ndaj Kinës dhe rajonit.

Nga ana tjetër, edhe vetë qeveria e Takaichi nuk është në pozitë të fortë politike. Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe planet për rishikim kushtetues përbëjnë tema ndarëse në opinionin publik japonez.
Çdo presion i drejtpërdrejtë nga Trump për një rritje drastike të buxhetit të mbrojtjes apo për angazhim ushtarak të zgjeruar mund të krijojë tensione të brendshme në Tokio dhe ta dobësojë qeverinë përpara opozitës.

Përtej këtyre kalkulimeve politike, vizita e Trump ka edhe një dimension më të gjerë strategjik: pozicionimi i Japonisë në rivalitetin e madh SHBA–Kinë. Çdo afrimitet me Uashingtonin mund të përkeqësojë marrëdhëniet me Pekinin, ndërsa çdo shmangie nga vijat e kuqe amerikane do të shihej si dobësi strategjike. Kjo e vë Japoninë në një ekuilibër të brishtë mes detyrimit aleat dhe interesit kombëtar.

Në fund të ditës, suksesi i kësaj vizite do të matet me konkretizimin e angazhimeve: nëse Japonia do të marrë përsipër më shumë përgjegjësi reale në mbrojtje dhe nëse SHBA do të ofrojë garanci të prekshme për sigurinë e saj.
Përndryshe, e gjithë kjo vizitë do të mbetet vetëm një spektakël politik, një tjetër shfaqje që prodhon jehonë mediatike, por jo rezultate strategjike.

Trump e di mirë se Japonia është një nga çelësat e fuqisë amerikane në Azi. Por edhe Japonia e di se stabiliteti i saj varet nga angazhimi amerikan. Midis këtyre dy nevojave të ndërsjella, qëndron prova e vërtetë e kësaj vizite, nëse do të jetë rikthim në një partneritet të barabartë e të qëndrueshëm, apo një fillim i ri i politikës së pazareve në aleanca. Kjo doktrinë politike e Presidentit Trump dhe SHBA, është inkurajuese për objektivat nacionale dhe rrugën përpara të popujve e shteteve që duan paqen dhe sigurinë globale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë një videokartolinë lamtumire…