Vizita e kongresistëve amerikanë – Kosova, partner i besueshëm i ShBA-së
Kongresistët amerikanë, Michael Turner dhe Donald Norcross, kanë qëndruar për vizitë në Kosovë, ndërkaq gjatë kësaj vizite ata janë takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash.
E para e shtetit në takimin me kongresistët amerikanë Michael Turner dhe Donald Norcross ka diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe mundësitë për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin e ngushtë me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme bipartizane të SHBA-ve për Kosovën. Ajo theksoi se kontributi amerikan ka qenë vendimtar në rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike.
Presidentja nënvizoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë dhe është e përkushtuar plotësisht ndaj reformave të brendshme, bashkëpunimit rajonal dhe thellimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Ajo përmendi edhe bashkëpunimin me administratën e Presidentit Trump në fusha me interes të përbashkët.
Ndër temat kryesore të diskutimit ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO, të cilin Osmani e cilësoi si një imperativ strategjik për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë Evropës. Ajo rikujtoi se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë shërbejnë krah për krah me trupat amerikane në misione jashtë vendit, ndërsa Kosova ka rritur buxhetin e mbrojtjes në 2% të GDP-së, me synim dyfishimin brenda pak vitesh.
Në aspektin e sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Osmani vlerësoi punën profesionale të institucioneve të sigurisë dhe theksoi rëndësinë e pranisë së vazhdueshme amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it, të cilën e quajti garanci të paqes për Kosovën dhe rajonin.
Presidentja ngriti edhe çështjen e agresionit në Banjskë, duke theksuar se Serbia edhe pas më shumë se dy vjetësh vazhdon t’i mbrojë organizatorët dhe autorët e sulmit, përfshirë Milan Radojqiqin, të cilët nuk janë dorëzuar drejtësisë. Ajo tha se llogaridhënia për këtë akt dhe për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe parandalimin e rrezikut nga veprime të ngjashme.
Kongresistët amerikanë, të dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve kanë takuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë takimit u diskutua thellimi i bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në fushën e mbrojtjes.
Kurti theksoi se “në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të ShBA-së”, përfshirë akademitë prestigjioze ushtarake si West Point dhe U.S. Army War College.
Ai kujtoi edhe ushtrimet e përbashkëta të mbajtura në vend, duke nënvizuar se “Kosova ka mirëpritur tre edicione radhazi të Defender Europe, ndërsa në Defender Europe 2025 Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së ShBA-së ka qenë e vendosur në aeroportin ushtarak në Gjakovë”.
Në aspektin e investimeve në mbrojtje, Kurti veçoi pajisjet amerikane të prokuruara kohët e fundit, duke përfshirë armatimin modern.
“Kemi prokuruar pajisje ushtarake amerikane, përfshirë edhe sistemet anti-tank Javelin”, tha ai, duke shtuar se Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, gjë që e bën vendin tonë të 33-in në botë me këtë status të besueshëm.
Bashkëpunimi ekonomik ishte një tjetër temë kyçe e takimit, me mundësi të reja në energji, teknologji dhe projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë transportin hekurudhor.
Kryeministri theksoi gjithashtu progresin e brendshëm të vendit.
“Kosova vijon të jetë shembull se përparimi demokratik dhe rritja ekonomike mund të ecin krah për krah”, tha Kurti.
Ai u shpreh se orientimi euro-atlantik i Kosovës mbetet i palëkundur, duke synuar anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm si përfitues, por edhe si kontribuuese për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian.
Në fund, Kurti shprehu falënderimin e tij për partneritetin e ngushtë me ShBA-të, duke thënë se ai përfaqëson “mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Kongresmenët amerikanë gjatë qëndrimit në Kosovë kanë vizituar edhe KFOR-in, ku janë pritur nga gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga kongresmeni Michael Turner.
Në takim ishte i pranishëm edhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş informoi delegacionin amerikan për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe për angazhimet e vazhdueshme të këtij misioni në ruajtjen e stabilitetit.
Ai theksoi se përkushtimi i KFOR-it për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt në gjithë territorin e Kosovës mbetet i palëkundur.
Ulutaş vlerësoi gjithashtu kontributin e gjatë dhe të pandërprerë të Shteteve të Bashkuara në kuadër të KFOR-it, duke e konsideruar atë si thelbësor për paqen dhe sigurinë rajonale.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet KFOR-it, institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe reagimit të shpejtë ndaj çdo sfide të mundshme të sigurisë.



