Politologu Imeri: Vizita e Dodikut në Shtëpinë e Bardhë rrezikon keqinterpretim politik
Vizita e Milorad Dodik në Shtëpinë e Bardhë dhe rreziku i keqinterpretimit politik.

Politologu Dorajet Imeri ka reaguar lidhur me vizitën e Milorad Dodikut në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuar atë si problematike jo për shkak të politikës amerikane, por për shkak të historikut dhe agjendës politike të vetë Dodikut.
Sipas Imerit, vizitat në Shtëpinë e Bardhë kanë para së gjithash karakter simbolik dhe shpesh interpretohen si shenjë legjitimiteti politik dhe konfirmim i relevancës ndërkombëtare të aktorëve që marrin pjesë në to. Pikërisht për këtë arsye, thekson ai, këto vizita shfrytëzohen nga politikanë të caktuar për konsum të brendshëm dhe për forcimin e pozitave të tyre në kontekste të ndjeshme rajonale.
Në këtë kuadër, Imeri nënvizon se Milorad Dodik ka qenë dhe mbetet një aktor që vazhdimisht ka minuar paqen dhe stabilitetin në Bosnjë-Hercegovinë dhe më gjerë në rajon. Ai kujton se Dodik është i njohur si mbështetës i Kremlinit dhe se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në mars të vitit 2025 ka deklaruar se Dodik po “minonte institucionet e Bosnjë-Hercegovinës dhe po kërcënonte sigurinë dhe stabilitetin e saj”.
Sipas politologut, Dodik nuk është thjesht figurë kontroverse, por një politikan që sistematikisht ka sfiduar rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës, ka vënë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve shtetërore dhe ka promovuar narrativa separatiste që cenojnë drejtpërdrejt Marrëveshjen e Dejtonit. Ai shton se retorika e Dodikut ka qenë e shoqëruar me relativizimin e krimeve të luftës, përfshirë mohimin ose minimizimin e gjenocidit në Srebrenicë, gjë që ka thelluar ndarjet etnike dhe ka penguar pajtimin rajonal.
Imeri thekson se problemi kryesor qëndron në faktin se Dodik e shfrytëzon çdo platformë ndërkombëtare për të ndërtuar imazh legjitimues, duke u paraqitur si partner politik i domosdoshëm, ndërkohë që veprimet e tij konkrete, sipas tij, dëshmojnë të kundërtën.
Duke folur për ndikimin në rajon dhe në Kosovë, Imeri vlerëson se shqetësimi nuk lidhet me vetë vizitën si akt diplomatik, por me mënyrën se si ajo instrumentalizohet për të forcuar agjenda politike që bien ndesh me paqen, stabilitetin dhe rendin ndërkombëtar. Ai paralajmëron se normalizimi i figurave që minojnë marrëveshjet paqësore dhe relativizojnë krimet e luftës krijon precedent të rrezikshëm edhe për Kosovën.
“Në vend që kritika të drejtohet ndaj aktorëve ndërkombëtarë, fokusi duhet të mbetet te përgjegjësia politike e Milorad Dodikut, i cili prej vitesh vepron si faktor destabilizues dhe si pengesë serioze për paqen e qëndrueshme dhe bashkëpunimin rajonal”, ka shkruar politologu Dorajet Imeri.



