Vjen lajmi i mirë për Eriksenin pas kolapsit në fushë

08 qershor 2026 | 16:39

Futbollisti danez, Christian Eriksen, ndodhet pranë familjes së tij dhe është në gjendje të mirë shëndetësore pas kolapsit që e pësoi gjatë ndeshjes miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës.

Mesfushori 34-vjeçar shkaktoi shqetësim të madh në botën e futbollit pasi u rrëzua në fushë gjatë takimit të së dielës.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe lojtari u transportua në spital për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa ndeshja u ndërpre.

Mjeku i kombëtares daneze, Morten Boesen, dha një përditësim inkurajues mbi gjendjen e Eriksenit.

“Kam folur me Christian këtë mëngjes dhe ai është mirë. Ndodhet me familjen e tij dhe është në humor të mirë. Presim që shumë shpejt të dalë nga spitali dhe të kthehet në shtëpi”, deklaroi Boesen.

Sipas mjekut, futbollisti e humbi vetëdijen vetëm për pak çaste, por e rifitoi shpejt dhe ishte në gjendje të komunikonte me personelin mjekësor.

Ai do t’ju nënshtrohet analizave shtesë për ta përcaktuar shkakun e saktë të incidentit.

Ngjarja i riktheu kujtimet e hidhura të Euro 2020, kur Eriksen pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës.

Pas atij episodi, atij iu vendos një defibrilator i brendshëm (ICD), i cili sipas mjekëve ka funksionuar siç duhet edhe në incidentin e fundit.

Federata Daneze e Futbollit ka konfirmuar se lojtari është i vetëdijshëm dhe jashtë rrezikut, ndërsa mbështetja nga bashkëlojtarët, klubet dhe tifozët ka qenë e jashtëzakonshme në orët e fundit.

Për momentin mbetet e paqartë nëse ky episod do të ndikojë në vazhdimin e karrierës së Eriksenit, ndërsa vendimi për të ardhmen e tij do të merret pas përfundimit të të gjitha kontrolleve mjekësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komanda qendrore e ushtrisë së Iranit njoftoi për ndaljen e…