Vjen reagimi i Rusisë pasi gazetarja doli “live” kundër luftës së Putinit
Kremlini ka kritikuar ashpër veprimin e gazetares ruse, e cila ka protestuar “live” kundër luftës së Vladimir Putinit gjatë edicionit të lajmeve në Rusi. Autoritetet ruse e kanë cilësuar veprimin e gazetares huliganizëm.
“Për sa i përket veprimit të asaj gruaje, ishte huliganizëm”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke i dhënë lëvdata televizionit “Channel One”, i cili e ka ndërprerë menjëherë transmetimin pas daljes së gazetares protestuese me pankartë në duar, ku shkruhej “Jo luftë”.
Marina Ovsyannikova është gazetarja që është shfaqur dje gjatë edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror rus “Channel One”, me një pankartë ku shkruhej: “Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës”.
Ajo është shoqëruar në një stacion policor në Moskë menjëherë pas ngjarjes, ndërsa tani nuk dihet se ku ndodhet. Përpara se të protestonte në televizion, ajo ka regjistruar një video ku thoshte se lufta në Ukrainë është krim, dhe se Rusia është agresori.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka shpallur të jashtëligjshme protestat në Rusi, në një tentativë për të ndaluar rusët të mësojnë të vërtetën e asaj çfarë po ndodh në Ukrainë. Ndërsa vetëm pak ditë më parë, qeveria ruse miratoi një ligj që dënon deri në 15 vjet burgim gazetarët që përhapin “lajme të rreme” për luftën./abcnews.al/



