Vjosa O.S. dhe mentaliteti i uzurpimit
Shkruan: Hajdin Abazi
U befasova me sjelljen diletante të presidentes në prag të skadimit të mandatit, kur zgjodhi të u qahej se “nuk po më duan” për presidente, mbase duke mos e kuptuar se politika nuk është vetëm dashje po mbi të gjitha interes. Nuk e kishte bërë Kurti presidente për shkak të “dashjes” po si shpërblim se ajo e kishte rehabilituar figurën e tij nga “Pablo Escobar dhe Hugo Chavez” duke pohuar se ishte nën ndikimin e narrativae të LDK-së, e kur u ofrua me të e kuptoi se ishte njeri me vizion për Kosovën. Dhe ajo i kishte shërbyer pa ia prishur askund dhe duke qenë në frekuenca të njëjta qëndrimesh ndaj të gjitha politikave për tri-katër vite. Me sa duket, Vjosës i kishte mbetur ëmbël nga LDK-ja me atakimin ndaj figurave kryesore të saj, dhe deshi ta provonte edhe ndaj Kurtit. Por ai nuk ishte i butë si Fatmir Sejdiu, Isa Musta etj. Ai do t’ia kthente kundërgoditjet jo me fjalë, po aty ku asaj i digjte më së shumti: me postin e presidentes. Nuk i tha kurrë jo, po e la deri në fund të besonte se ende ishte e preferuara e tij për të post. Ia punoi ashtu sikurse ajo ua kishte bërë atyre që e kishin mbështetur në ngritjen e saj politike në LDK.
Me caktimin e datës së zgjedhjeve kur i kovenonte Kurtit (më 28 dhjetor 2025) ajo shpresoi se duke ia bërë të mundur zgjedhjet kur mërgata ishte në Kosovë ashtu që ai t’i fitonte sërish zgjedhjet – do të rehabilitohej te Kurti e do të falej nga ai dhe do t’ia dhuronte edhe një mandat.
Por kjo nuk ndodhi.
Dhe ajo u detyrua të largohej nga Presidenca.
E pra, nuk u largua dot pa një skandal, në dukje irrelevant, po që shpërfaq një mentalitet përvetësimi. Një uzurpim i asaj që nga fillimi ishte e shtetit: FB e Presidencës.
Ajo nuk e hapi një profil të ri , jo, po u tregua e guximshme sa e “mori me vete” profilin e Presidencës në FB duke ia ndërruar emrin: Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës (@PresidencaRKS). Arsyetimi: “Faqja e arkivuar…”! E pabesueshme, po e vërtetë. E Presidenca si institucion shtetëror u detyrua të hapë një FB tjetër.
Nuk e mposhti dot lakminë e vet për të qenë presidente – dhe faqja e “Presidentes së 6-të” më shumë flet në kohën e tashme se sa në të shkuarën. Aty, ajo është dhe vazhdon të jetë Presidente!
Asnjë nga presidentët e mëhershëm nuk e kishte bërë një veprim të tillë, duke dëshmuar një kulturë shtetërore.
Po sikur secili president i Kosovës ta përvetësonte FB e Presdiencës? Po sikur edhe secili kryeministër FB e Kryeministrisê? Secili kryetar i Kuvendit të Republikës? E ministrat? Dhe ambasadorët?
Do të tregohej se nuk kemi kulturë shtetërore, po mentalitet uzurpimi.



