
Vjosa Osmani do të dekorojë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantinon
Presidentja Vjosa Osmani do të dekorojë sot presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino.
Ceremonia zyrtare do të mbahet në ambientet e Presidencës dhe do të nisë në orën 13:00.
I pari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Osmanit për këtë veprim, duke e cilësuar si një akt që dëshmon respektin e institucioneve të Kosovës për rolin dhe kontributin e Infantinos në zhvillimin e futbollit kosovar.
“Gianni Infantino pati fatin që, në Kongresin e tij të parë si president i FIFA-s në vitin 2016, ta shpallë Kosovën anëtare të barabartë të organizatës. Ky ishte një moment historik që ndryshoi përgjithmonë rrugëtimin tonë si shtet në arenën ndërkombëtare të futbollit,” ka shkruar Ademi në një postim në Facebook.
Ai shtoi se gjatë udhëheqjes së Infantinos, FIFA ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për FFK-në përmes programit “FIFA Forward”, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe ngritjen profesionale të futbollistëve dhe trajnerëve në vend.
“Ky vendim i juaji, znj. Presidente, e forcon edhe më shumë partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe atyre sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet,” ka theksuar Ademi.
Sipas tij, ky dekorim përfaqëson një nder të madh për gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë e të lavdishëm.