Vjosa Osmani i ofron partneritet diasporës për investime në Kosovë

30 shtator 2019 | 17:18

Kandidatja nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, i ka ofruar partneritet diasporës për investime në Kosovë.

Ajo kështu ka thënë gjatë një tubimi elektoral në Kaçanik, duke shtuar se programi i saj për zhvillim ekonomik parasheh partneritet me diasporën, në mënyrë që ata të vijnë të investojnë në atdheun e tyre, për të ndihmuar zhvillimin e shtetit, mirëqenin e familjeve kosovare, por edhe për të krijuar profite si investitorë seriozë.

Osmani ka thënë se diaspora gjithmonë ka treguar dhe vazhdon të tregoj gatishmëri për të investuar në Kosovë, por tani me qeverisjen e saj do të kenë projekte konkrete nga të cilat do të përfitojë ekonomia jonë, familjet e tyre dhe ata si investitorë.

Në tubimin me qytetarë, Osmani tha se Kaçaniku nuk duhet të mbetet vetëm vend i heroizmave por duhet të bëhet vend me mundësi të mëdha zhvillimi.

“Disa politikanë ju respektojnë për të djeshmen, por ua kanë errësuar të sotmen, ua kanë errësuar të ardhmen, pasi që flasin për Kaçanikun legjendar dhe nuk kanë bërë asgjë për banorët e kësaj ane”, ka thënë Osmani.

Ajo ka potencuar se në programin e saj qeverisës familja vlerësohet si shtylla e shtetit dhe e shoqërisë.

“Familja e shëndoshë, është familja që përballon kostot e jetës, sidomos koston e banimit. Çifte të shumta sot në Kosovë përballen me vështirësi në blerjen e banesave të para. Në programin tonë, blerja e përballueshme për çiftet që blejnë banesën e parë është thelbësore. Në Kosovë brenda vitit janë 15 mijë martesa, nga të cilat rreth shtatë mijë sosh blejnë banesë për herë të parë. Familjeve të reja, të cilat për herë të parë blejnë banesë, do t’ua subvencionojmë normat e interesit, duke i zvogëluar deri në 1 për-qind, dhe do t’ua zgjerojmë pagesën e kredive mbi 30 vjet”, është shprehur Osmani.

Ndërsa nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ka ardhur koha që Kaçaniku të rreshtohet me fitoren e madhe të Vjosa Osmanit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prizrenit ka njoftuar të gjithë prizrenasit se tashmë…