
Vjosa Osmani përkujton masakrën e Lybeniqit: Drejtësi për Muhametin 18 muajsh
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është edhe kandidate për presidente, ka përkujtuar 22-vjetorin e masakrës së Lybeniqit.
Ajo ka thënë se në Lybeniq, numri prej 80 civilëve të masakruar, shpërfaqë përmasat e krimit monstruoz të kryer nga pushteti gjenocidal i Serbisë, 22 vjet më parë. “Aty nuk u kursyen as fëmijët e vegjël, siç ishte Muhameti 18 muajsh e Leonardi 7-vjeçar. Kriminelët bënë gjënë e njëjtë sikurse në masakrat e tjera, ekzekutuan mizorisht civilët e pafajshëm duke treguar qartë qëllimin e tyre për shfarosje”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se derisa ende na duhet t’i trajtojmë plagët dhe vuajtjet e luftës, zor të mendohet paqja pa drejtësi.
“Sepse zemrat e familjarëve të 80 civilëve do të gjejnë paqe vetëm kur kryesit të përgjigjen para drejtësisë! Qoftë i përhershëm kujtimi për 80 të vrarët në masakrën e Lybeniqit”, ka shkruar Osmani.