Vlerësohet kontributi i grave në Paqen dhe Sigurinë në Kosovë
“Nga Rezoluta në Veprim: 25 vjet që Gratë Transformojnë Paqen dhe Sigurinë në Kosovë”, është forumi i cili u mbajt për të shënuar 25-vjetorin e zbatimit të Agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë, e ku u theksua se Kosova është shndërruar në një shembull për promovimin e agjendës së grave në fushën e sigurisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj tha se është thelbësore të promovohen gratë në rolet vendimmarrëse.
“Është gjithmonë kënaqësi që të kthehem në këtë ngjarje vjetore të organizuar nga ju. Kosova ka dëshmuar se mund të japë shumë në këtë fushë, pavarësisht periudhave të errëta që ka kaluar. Ne arritëm të ngrihemi dhe të ndërtojmë lirinë falë grave dhe burrave tanë. Ky përvjetor për ne nuk është vetëm një datë simbolike, por një kapitull i ri i përkushtimit për luftimin e pabarazisë. Kosova është shndërruar në një shembull për promovimin e agjendës së grave në fushën e sigurisë. Sot shohim rritjen e numrit të grave në institucione, ndërsa kujtojmë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në formimin e shtetësisë sonë. Sot dua të nderoj çdo grua që ka shërbyer për Kosovën – në polici, në ekonomi, në siguri, aty ku mbrohen paqja dhe ligji. Megjithatë, progresi i arritur nuk duhet të na bëjë të vetëkënaqemi, sepse sfidat mbeten, sidomos në fushën e barazisë gjinore. E pamë edhe sot – shumica e drejtuesve institucionalë janë ende burra, por ne do të punojmë që ta ndryshojmë këtë. Vetëm duke eliminuar barrierat ndaj grave, do të forcojmë rolin e tyre në vendimmarrje. Është thelbësore të promovojmë gratë në rolet vendimmarrëse. Sivjet, për shkak të kontributit të grave në Kosovë, vendi ynë u nderua me një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, që zëri dhe roli i grave të jetë gjithmonë në rritje. Pa gratë në tavolinat ku merren vendimet, paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme”, tha ajo.
Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, vlerësoi kontributin e grave që shërbejnë në polici dhe në shërbimet korrektuese.
“Ndërsa shënojmë 25-vjetorin e Agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë, ne mblidhemi për të reflektuar mbi progresin që kemi arritur dhe për të nxjerrë mësime nga e kaluara. Nën udhëheqjen e presidentes Vjosa Osmani, Kosova është shfaqur si një shembull i përfshirjes së grave në dialogun për paqe. Prania juaj dëshmon se si ofrohen siguria dhe drejtësia. Në institucionet korrektuese, lidershipi i grave ruan procesin e rehabilitimit dhe forcon paqen e bazuar në drejtësi. Me mbështetjen e EULEX-it, themelimi i Shoqatës së Grave në Polici dhe në Shërbimin Korrektues ka qenë një arritje e madhe që ka nxitur solidaritetin dhe rritjen profesionale. Përkundër arritjeve, sfidat vazhdojnë. Parandalimi i çdo forme të dhunës ndaj grave mbetet një nga prioritetet tona kryesore. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar që çdo grua të dëgjohet dhe të ketë hapësirën që meriton në shoqëri”, tha ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se tema e këtij viti “Nga Rezoluta në Veprim”, tregoi se në vitin 1999 Kosova kishte 36 gra policie, ndërsa sot janë 1 mijë e 503 police, e pa cka thekson se guximi dhe profesionalizmi i tyre e ka bërë shtetin e Kosovës edhe më të fortë.
“Vetë prania jonë sot është dëshmi e konfirmimit se vendosja e grave në rolin e paqes dhe sigurisë është një realitet. Duke filluar me vetëm 36 gra police në vitin 1999, sot kemi 1,503 gra, që përfaqësojnë 15.8% të forcës sonë policore. Gratë në Policinë e Kosovës kanë dëshmuar se përmes inteligjencës dhe profesionalizmit të tyre, kanë arritur të ndërtojnë besim dhe siguri në të gjithë komunitetin. Guximi dhe profesionalizmi i tyre e kanë bërë shtetin e Kosovës më të fortë”, tha ai.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibran theksoi se përfshirja e grave në Shërbimin Korrektues ka ndikuar ndjeshëm në forcimin e këtij institucioni.
“Kjo rezolutë është thelbësore për forcimin e rolit të grave në institucionet e Kosovës. Shpesh, institucionet e sigurisë janë perceptuar si të dominuara nga burrat, por në praktikë janë gratë ato që luajnë një rol jetik, sidomos në promovimin e të drejtave të njeriut. Jam i bindur se roli i grave nuk është thjesht plotësues, por thelbësor. Siç tha edhe presidentja, jo çdo pozitë drejtuese duhet të mbetet vetëm për burrat. Ne kemi ftuar dhe inkurajuar gratë të marrin role udhëheqëse, dhe sot kemi dhjetëra prej tyre që udhëheqin burgje dhe departamente të rëndësishme. Sot, SHKK është institucioni i vetëm në Kosovë që është pranuar në Rrjetin e Burgjeve të Evropës, edhe pse vendi ynë ende nuk është anëtar i BE-së. Falë përkushtimit të grave tona, ndjejmë krenari që jemi renditur përkrah vendeve si Singapori dhe Finlanda. Le të riafirmojmë përkushtimin ndaj grave, që zëri i tyre të dëgjohet dhe të vlerësohet në çdo nivel të vendimmarrjes”, tha Dibrani.
/Ekonomia Online



