Vlerësohet partneriteti mes Ministrisë së Bujqësisë dhe UNDP-së
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka pritur në takim shefin e Zyrës së UNDP në Kosovë, Nuno Queiros.
Me këtë rast, Queiros e uroi ministrin Muja për marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e përgjegjësive dhe në avancimin e sektorit të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural në vend.
Nga ana e tij, ministri Muja falënderoi për vizitën dhe urimin, duke theksuar gatishmërinë e tij për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional me UNDP-në.
Ai u shpreh i hapur për zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm, përmirësimin e kushteve në zonat rurale dhe fuqizimin e sektorit bujqësor.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e partneritetit të vazhdueshëm dhe u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.



