
Vlora Çitaku i kujton heroinat e pakënduara të pajtimit të gjaqeve (foto)
Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA,Vlora Çitaku, i ka kujtuar sot përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook” dy nga pesë nismëtarët e Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë në vitin 1990, Havë Shala dhe Myrvete Dreshaj, njofton “Epoka e re”.
“Heroinat e pakënduara të pajtimit. Havë Shala dhe Myrvete Dreshaj si studente u bënë nismëtare të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve. Respekt pafundësisht!”, ka shkruar ish-ambasadorja Çitaku.
Si rezultat i Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve, të filluar nga ish-të burgosurit politikë, studentët Myrvete Dreshaj, Havë Shala, Adem Grabovci, Lulëzim Etemaj dhe Brahim Dreshaj, i cili u zhvillua nën moton e Adem Demaçit, “Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit”, brenda një viti u pajtuan 1169 gjaqe, 477 plagosje dhe 865 ngatërresa.
Me ftesën e këtij grupi të të rinjëve të Pejës, pajtimit të gjaqeve iu bashkangjiten fillimisht profesorët e Universitetit të Prishtinës, Anton Çetta dhe Zekeria Cana. Me kalimin e kohës, numri i veprimtarëve vullnetarë të pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave arriti në mijëra.