Vlora Çitaku reagon për rastin e Xhamajkës: Çdo gjë do të sqarohet me kohë

22 shkurt 2020 | 22:41

Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA, i ka reaguar zëvendëskryeministrit, Haki Abazi, i cili atë e quajti “instrument në shërbim të presidentit”.

Përmes një postimi në “Facebook”, Çitaku ka shpjeguar edhe pse nuk ka folur për rastin e njohjes nga Xhamajka, teksa ka thënë se është jo diplomatike, jo korrekte dhe anti-kombëtare që të zbulonte emra.

Ajo ka thënë se çdo gjë do të sqarohet me kohë, por se i ka dërguar porosi zv/kryeministrit Abazi se ai nuk e ka kontaktuar asnjëherë për të sqaruar situatën në fjalë.

“Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nderë tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem”, ka shkruajtur ndër të tjera Çitaku.

Postimi i plotë i saj:

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, z.Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës.

Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike.

Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje.

Çdo gjë do të sqarohet me kohë.

Zv Kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktoi me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nderë tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem.

Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale.

Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik.

E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ndeshje shumë të mirë ka ofruar derbi i javës…