
Vlora, e mbushur me pushues
03 gusht 2025
| 09:25
Gushti ka nisur me ritme të larta pasagjerësh në Vlorë, duke përmbushur pritshmëritë për një sezon turistik të mbushur me vizitorë nga jashtë vendit. Vetëm në orët e para të mëngjesit të së dielës, 1236 pasagjerë kanë zbarkuar në Portin e Vlorës me dy tragetet e linjës detare që lidh qytetin me Brindisin.
Autoritetet portuale bëjnë me dije se fluksi ka qenë në rritje që prej fundit të korrikut, ndërsa piku pritet të arrihet gjatë javës së dytë të gushtit.
Masat e sigurisë dhe të menaxhimit të fluksit janë përforcuar. Në port janë vënë në funksion të gjitha sportelet.
Ky muaj pritet të sjellë një numër të lartë turistësh, por edhe shqiptarë, emigrantë që jetojnë në vendet fqinje dhe zgjedhin të kalojnë pushimet në atdhe.