Vogëlushi i vogël zezak
William Blake (1757-1827)
Ime më në të egrin jug më lindi
e unë jam i zi, oh! Po shpirti im është gjithë bardhësi;
e i bardhë si një ëngjëll është dhe anglezi fëmi:
ndërsa unë i zi sikur për dritën t’isha në zi.
E njëherë ime më përposh një peme më pushtoi,
tek qemë ulur më parë se nxehtësi e ditës të fillonte,
e ndërsa më morri në prehër më puthi
e duke u drejtuar drejt lindjes nisi të më thonte.
Shiko aty ku çohet dielli: është aty ku Zoti jeton,
e na fal dritën e tij, e na fal dhe nxehtësinë.
E çdo pemë e lule, e çdo kafshë e njeri fiton
prej tij rehati në mëngjes e mbasdite gëzim.
E ne të gjithë jemi në një të vockël hapësirë,
që t’mund të mësohemi të mbartim rreze dashurie,
e ky trup i zi e kjo fytyrë prej diellit nxirrë
është veç një re a një e hijezuar korije.
Se veç kur shpirti ynë t’mësohet ta mbartë ngrohtësinë
aherë reja do davaritet e ne do dëgjojmë zënë e tij
të thotë; Hajde dashuria e përkujdesi im, dil nga kjo korije,
e sillu rreth tendës sime t’artë sinjë qingj në ngazëlli.
Kështu ime më duke më puthur më tha,
e po t’njëjtën gjë i thashë dhe anglezit fëmi.
Kur unë prej së zezës e ai prej së bardhës re u çlirua,
si qingja rreth tendës së Zotit sjellë gjithë lumturi:
Se hije prej nxehtësisë unë do t’i bëj gjer kur t’mësojë
që në gjunjë të Atit tonë t’përulet me gëzim.
E do të rri pranë e të praruarit flokë do i ledhatoj
gjer kur ai të bëhet si unë e të më falë dashurinë.
Përktheu: Dritan Thomollari



