
Vojvoda: Përkrahja e bashkatdhetarëve në Zvicër do të jetë vendimtare për fitoren tonë
Mërgim Vojvoda, futbollist i Kosovës është opstimist para ndeshjes ndaj Zvicrës. Ai ka konfirmuar se atmosfera në ekip është shumë e mirë, derisa beson se përkrahja nga bashkatdhetarët do të jetë vendimtare në Bazel për të fituar tri pikët.
“Atmosfera është shumë e mirë. E dimë se na presin dy ndeshje të vështira. Të luash në Zvicër nuk është e lehtë, por do të kemi përkrahje të madhe nga tifozët tanë. Djemtë janë të përgatitur, stërvitjet po shkojnë mirë dhe jemi të motivuar të marrim tri pikë”, ka thënë Vojvoda.
Mbrojtësi “dardan” ka shtuar se qëllimi i ekipit është të arkëtohen gjashtë pikë nga dy ndeshjet e radhës, kundër Zvicrës në transfertë dhe Suedisë në shtëpi.
“Sigurisht se do të jetë e vështirë, pasi të dyja ekipet janë pretendente, por kjo ndonjëherë është në favorin tonë sepse presioni nuk është te ne, por te ata. Ne po përgatitemi për të fituar në të dyja ndeshjet dhe shpresojmë që të arrijmë objektivin”, ka përfunduar Vojvoda.