Volejbollistja e Dinamos e akuzon federatën për diskriminim: Jam 100 për qind femër

28 tetor 2025 | 13:10

Volejbollistja braziliane e ekipit të Dinamos, Nayara Ferreira, ka reaguar pas suspendimit të saj, pasi Federata Shqiptare i ka kërkuar të vërtetojë gjininë përmes analizës së gjakut.

Ajo mes lotësh, ka treguar se po kalon një situatë shumë të vështirë, në karrierën e saj sportive.

“Kjo është një situatë shumë e vështirë për mua. Është hera e parë që përjetoj diçka të tillë në gjithë karrierën time. Luaj volejboll që nga mosha 12-vjeçare”, ka deklaruar ajo, duke e vlerësuar si diskriminues pezullimin  e saj. “Jeta ime është private dhe unë jam person që i mbaj gjërat për vete. Ajo që po ndodh tani me mua është diskriminim. Nuk e pranoj këtë. Nuk më kanë dhënë asnjë arsye ligjore pse e bënë këtë. Kur pyeta një zyrtar të federatës, më tha se ‘është dokument privat’. Po çfarë është private për dikë tjetër në lidhje me jetën time?”, ka thënë ajo në një intervistë për “Top Channel”.

Brazilianja ka thënë se ndihet e shkatërruar nga mënyra si është trajtuar dhe se gjatë gjithë karrierës ka luajtur në shumë vende pa u përballur kurrë me diçka të tillë.

Më tutje, Ferreria ka deklaruar se është “100 për qind grua” dhe nuk ka pse të dëshmojë këtë para askujt.

“Jam 100 për qind  femër, dhe kjo është diçka që nuk kam pse ta shpjegoj. Ju vetëm keni parë si vishem, fizikun tim, flokët, tatuazhet. Ajo që keni bërë është diskriminim. Nuk e di si mund të flejë i qetë presidenti i federatës suaj me këtë në ndërgjegje. Nuk kam fjetur, nuk kam ngrënë, nuk kam pirë as ujë. Prandaj, faleminderit Federatës Shqiptare që ma bëtë këtë”, ka thënë ajo me ironi.

Në fund të kësaj interviste, ajo është shprehur se e vërteta do të dalë në dritë dhe se nuk ka asgjë për të fshehur.

Në mediat shqiptare ditë më parë është raportuar për suspendimin e Nayara Ferreiras, me kërkesë të Federatës Shqiptare të Volejbollit, në pritje të verifikimit të dokumentacionit të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, bashkë me ambasadori…