Volodymyr Zelensky mbërrin në Greqi, do të jetë pjesë e takimit me liderët ballkanikë

21 gusht 2023 | 19:49

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Greqi së bashku me një delegacion nga Kievi, ku raportohet se ai do të jetë edhe pjesë e darkës informale me liderët rajonalë, të mbledhur nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Shqipëria është i vetmi vend, i cili nuk përfaqësohet në këtë takim, pasi Mitsotakis ka ftuar të jetë i pranishëm presidentin Bajram Begaj dhe ky i fundit, për shkak të një përplasje agjendash, nuk ka mundur të jetë i pranishëm në ngjarje.

Ndërsa, duke parë dinamikën e takimit dhe diskutimeve, normalja do të ishte që ftesa të shkonte për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Por, duket se Mitsotakis, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me çështjen e Fredi Belerit, ka vendosur të mos e ketë homologun shqiptar si pjesë të tryezës.

Siç ka reflektuar vetë Zelenskyy ndërkaq në median sociale “X”, përmes një publikimi, ai do të takohet si me Mitsotakis, ashtu edhe me presidenten greke, Katerina Sakellaropoulou.

Agjenda do të ketë një paravijë të qartë, mbi atë çfarë mund të bëhet për të mbrojtur jetët njerëzore në Ukrainë dhe liritë themelore në shtëpinë e përbashkët evropiane.

“Samiti Ukrainë-Ballkan: një takim i përbashkët me liderët ballkanikë, koordinimi i integrimeve evropiane dhe euroatlantike, bashkëpunimi i mbrojtjes, siguria. Gjithashtu, bisedime të ndara për çështje dypalëshe”, shkruan ndër të tjera Zelensky, si pjesë të agjendës.

Në mbyllje, ai e vë theksin edhe te fakti se e pranishme do të jetë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është edhe një ndër zërat kryesorë të mbështetjes së Ukrainës.

Pavarësisht kësaj, mungesa e Shqipërisë në tryezë është tejet e ndjeshme, duke qenë se bëhet fjalë për vendin më të madh të Ballkanit Perëndimor brenda aleancës së NATO-s, si edhe një shtet kyç në faktorin e stabilitetit dhe politikës së jashtme, i cili ka qenë tregues për iniciativa përbashkuese rajonale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada Amerikane në Minsk, në një alarm të publikuar në…