Vonesat institucionale po e dëmtojnë pozitën politike dhe ekonomike të Kosovës

23 nëntor 2025 | 08:49

Vonesat në formimin e Qeverisë së Kosovës po vlerësohet t’i ketë shkaktuar vendit dëme të mëdha, e me theks edhe në ekonomi, e ku vendi rrezikon t’i humbas fondet nga Bashkimi Evropian, raporton Ekonomia Online.

Profesori universitar, Ferat Shala, në një intervistë dhënë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, për krejt këtë e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje që sipas tij ka bllokuar krijimin e institucioneve.

“Në kuptimin e përgjithshëm mbetja e institucioneve të shtetit jashtë rolit të tyre, do të thotë që ka bërë ne sot të kemi një situatë delikate në arenën ndërkombëtare politike të vendit. Sot jemi nën sanksione të Bashkimit Evropian, sot shumë shtete mike na kanë mbyllur portat e bashkëpunimit dhe komunikimit. Sot, marrë në tërësi, kemi rreth 1.5 miliardë euro fonde të BE-së, dhe fondet të cilat kemi mundur t’i thërrasim nga projektet e ndryshme të projektit të rritjes së BE-së, që praktikisht institucionet e shtetit nuk kanë qenë të afta t’i thithin. Në anën tjetër kemi bllokadë të fondeve nga BE-ja dhe tani së fundmi kemi të panënshkruara, të pararatifikuara në Kuvendin e Kosovës dhe një numër të caktuar të marrëveshjeve ndërkombëtare, që po ashtu kanë ndikim direkt në ekonomi dhe në fondet tona”, tha Shala.

Shala nga PDK, ngriti shqetësimin edhe për gjendjen ekonomike, duke përmendur rritjen e inflacionit, shtrenjtimin e energjisë, rritjen rekord të importeve dhe nivelin e ulët të investimeve kapitale.

“Të gjitha këto kanë bërë që Kosova ekonomikisht të jetë shumë më e dobët, shkalla e inflacionit në muajt e fundit tregon një rritje shqetësuese, çmimet e energjisë po ashtu po rriten në mënyrë shqetësuese, shkalla e importeve nuk ka qenë asnjëherë në historinë e vendit më e lartë, në anën tjetër kategoritë e pagave, meditjet dhe shumë sektorët tjerë që nevojitet të kenë një trend tjetër nuk kanë qenë të ndryshueshme. Investimet kapitale si kurrë më parë, shkalla e tyre e realizimit faktikisht”, theksoi Shala.

Shala akuzoi Kryeministrin në detyrë, Kurti për Qeverinë duke paralajmëruar se vendi mund të përballet me edhe më shumë vështirësi nëse proceset vonohen deri në formimin e qeverisë së re në muajt shkurt–mars.

“Në anën tjetër, problematikat e arsimit, shëndetësisë, kemi situatën krejtësisht të palëvizshme, për mos të thënë asnjë sektor nuk është prekur nga dora e shtetit, dhe kështu ekonomikisht jemi keq. Sigurisht që vështirësitë do të jenë shumë më të mëdha sepse nuk shohim vullnet politik të kryeministrit Kurti, sepse aty kemi një personalitet që gjithçka në këto tetë muaj ka sjellë për të arritur në maje të pushtetit dhe për të vazhduar mandatin jashtëligjshëm të këtyre institucioneve që realisht janë. Sot kemi ministra dhe deputetë që mbajnë nga dy pozita, sot kemi institucione që janë krejtësisht të monopolizuara apo të pushtuara jashtëligjshëm. Ky realitet politik dhe ekonomik i menaxhimit të shtetit fatkeqësisht do të vazhdojë edhe dy muaj sipas kësaj logjike. Nëse ne i mbajmë zgjedhjet tani, formimi i institucioneve mund të shkojë deri në muajin shkurt–mars, dhe kjo do të ishte përsëri goditje, edhe sociale, politike dhe ekonomike për Kosovën”, theksoi deputeti.

Tashmë Kosova do të përballet edhe me një palë zgjedhje, që do të jenë të katërtat që po mbahen brenda vitit 2025.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur 28 dhjetorin datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, kjo pasi që as Glauk Konjufca si mandatari i dytë nga radhët e Vetëvendosjes si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk arriti t’i sigurojë 61 vota në seancën e 19 nëntorit, për ta formuar Qeverinë.

Pra, me 56 vota për, 53 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi dështoi të zgjedh Qeverinë e re.

Një përpjekje për formim të Qeverisë e për të qëndruar edhe për një mandat kryeministër e bëri edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti por që as ky në seancën e 26 tetorit nuk mori më shumë se 56 vota, 52 kundër dhe katër abstenime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy të mitur janë therur me thikë në Prishtinë të…