Votim në 18 komuna, KQZ-ja me detaje për balotazhin e nesërm
Më shumë se gjysma e votuesve me të drejtë vote para një muaji, do të mund të votojnë sërish në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave më 9 nëntor.
Një milion e 316 mijë e 672 votues në 18 komuna, nga mbi dy milionë sa kishin të drejtë vote në të gjithë vendin më 12 tetor, ftohen sërish të dalin për të zgjedhur kryetarin e tyre.
Ky numër i votuesve është i shpërndarë në 507 Qendra të Votimit, me gjithsej 1.628 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen në 19:00.
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë për KosovaPress se tashmë ata kanë kryer përgatitjet e nevojshme dhe se gjatë ditës së sotme materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është dërguar në komunat që janë pjesë e balotazhit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke ndërmarrë veprimet e planifikuara për mbajtjen e rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Gjatë ditës së shtunë, KQZ ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, në 18 komuna, në të cilat do të votohet më 9 nëntor. Ky material, në orët e hershme të mëngjesit do të dërgohet në Qendrat e Votimit / Vendvotime, të cilat do të hapen në orën 07:00”, tha Elezi.
Ai ka bërë të ditur se KQZ-ja ka përmbyllur të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për informimin e publikut mbi të dhënat kyçe të procesit zgjedhor, statistikat e pjesëmarrjes në votime dhe rezultatet preliminare të kandidatëve.



