Votimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, Pacolli: Qytetarët nuk e merituan këtë vonesë

04 dhjetor 2020 | 15:39

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe deputeti i Kuvendit, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas miratimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike. Ai ka drejtuar kritika në drejtim të kolegëve të tij në Kuvendin e Kosovës.

Pacolli ka thënë se është për të të ardhur keq që disa deputetë e kanë kthyer Kuvendin në një ode të egos dhe interesave personale.

“Shpresoj që kolegët e mi deputetë në të ardhmen do të jenë më të përgjegjshëm dhe nuk do të harrojnë se ata janë të zgjedhur nga populli që duhet ta përfaqësojnë korrektsisht”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Pacollit:

Mirë që sot ligji për rimëkëmbjen ekonomike kaloi.

Më vjen keq që jemi vonuar aq shumë. Qytetarët e Kosovës nuk e merituan këtë vonesë.

Me miratimin e këtij ligji, deputetët e KK kryejnë detyrimin minimal para qytetarëve.

Nga ana tjetër, është për të ardhur keq që disa deputetë e kanë kthyer Kuvendin në një ode të egos dhe interesave personale, duke injoruar faktin që ata janë të zgjedhurit e popullit qe duhet të punojnë për interesat e popullit.

Injorimi ose kushtëzimi për miratime të ligjeve me qëndrime personale përplot inate, teke, mllefe, interesa partiake, interesa personale, grupore etj dëmtojnë mbarëvajtjen e punës madhore të Kuvendit. Veprimet e tilla janë të dëmshme dhe të papërgjegjshme.

Shpresoj që kolegët e mi deputetë në të ardhmen do të jenë më të përgjegjshëm dhe nuk do të harrojnë se ata janë të zgjedhur nga populli që duhet ta përfaqësojnë korrektsisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina dhe Feronikeli kanë ndarë nga një pike në ndeshjen…