
Vozitësi me targa të Zvicrës gjobitet për tejkalim të rrezikshëm përmes trotuarit – njoftohen autoritetet zvicerane
Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj një kundërvajtësi në trafik, i cili me datë 24 korrik ka kryer një tejkalim të rrezikshëm përmes trotuarit në qytetin e Gjilanit. Ngjarja është regjistruar në zonën e një udhëkryqi, ku vozitësi i automjetit tip Audi S6, me targa të kantonit Thurgau (TG) të Zvicrës, ka tejkaluar përmes trotuarit në anën e djathtë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e këmbësorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Veprimi i rrezikshëm është dokumentuar edhe përmes videove të publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjetet sociale. Pas identifikimit të shkelësit, Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Gjilan ka shqiptuar gjobë ndaj tij në përputhje me Ligjin për rregullat e trafikut rrugor nr. 08/L-186.
Bazuar në marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane për bashkëpunim në trajtimin e kundërvajtjeve rrugore, gjoba e shqiptuar do t’u përcillet autoriteteve kompetente në Zvicër për trajtim të mëtejmë.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të raportojnë sjelljet e rrezikshme në rrugë përmes stacioneve policore, aplikacionit “Lajmëro Policinë”, e-mailit zyrtar [email protected] apo numrave të telefonit 192 dhe 038/5080-7001. Policia garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për të gjitha raportimet.