
“Vrasja nga pakujdesia” e 27 vjeçarit në Lipjan, Sveçla: Jam thellësisht i prekur nga vdekja, pres të zbardhet e vërteta
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar për vdekjen e Agon Zejnullahut në Lipjan. Ai tha se ka kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga IPK-ja dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi.
“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal. Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.”
Sveçla i ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit. Ai ka shtuar se askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar.
Ai ka thënë se besimi në Polici duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës.