
Vuçiq bisedon me Donfried për dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 prill është takuar me Ndihmës-sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, me të cilën ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi, për integrimin evropian të Serbisë dhe për bashkëpunimin rajonal, bëri të ditur Presidenca serbe përmes një njoftimi.
Vuçiq dhe Donfried po ashtu kanë biseduar për qëndrimin e Beogradit karshi situatës në Ukrainë, por edhe për diversifikimin e burimeve të energjisë së Serbisë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit, Vuçiq ka theksuar se nisma “Ballkani i Hapur” është shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal, duke shtuar se kjo iniciativë është mënyra më e mirë për të përgatitur shtetet e rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nisma “Ballkani i Hapur” është iniciuar në tetor të vitit 2019 nga udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe thuhet se ka për qëllim që të lehtësojë lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe kapitalit në mes të këtyre tri shteteve.
Gjatë takimit, Vuçiq tha po ashtu se Serbia ka rritur eksportet në Shtetet e Bashkuara për 100 për qind krahasuar me vitin 2010, duke shtuar se ai mirëpret prezencën e kompanive amerikane në shtetin e tij.
Ndërkaq, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Vuçiq tha se Serbia ka përmbushur zotimet e saj, por autoritetet e Kosovës nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Edhe nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit, nuk është iniciuar themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Ky proces ndërmjetësohet nga BE-ja.