Vuçiq: Kroacia e Sllovenia, top-mbështetëset për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, deklaroi sot në Beograd se Kroacia dhe Sllovenia kanë qenë mbështetëset kryesore të propozimit për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ndërsa Franca dhe Hungaria janë kundërvënë.
Vuçiq tha gjithashtu se Kroacia ka një “strategji doktrinore për të dobësuar shtetin serb”, ndonëse, sipas tij, ai “u dëshiron të gjithëve të mirat”.
Ai u shpreh se rrëzimi i tij nga pushteti është “qëllimi prioritar” i Kroacisë, sepse, sipas tij, ata e konsiderojnë atë “si gjënë më të keqe për interesat e tyre afatgjata”. Sipas Vuçiqit, kjo gjithashtu “nënkupton se ai është gjëja më e mirë për Serbinë”.
“Unë u dëshiroj atyre të mirat, jam i bindur se Serbia dhe Kroacia do të duhet të kenë marrëdhënie shumë më të mira në të ardhmen”, shtoi ai, raporton media kroate “Direktno”, transmeton Klankosova.tv.
Vuçiq tha se gjatë vitit të fundit në mediat kroate janë botuar mbi 25 mijë tekste kundër tij, vetëm rreth 50 prej tyre kanë qenë neutrale dhe asnjë pozitiv.
Ai kritikoi gjithashtu faktin që në Serbi nuk po përmendet roli i Francës në mbështetje të Serbisë në takimin e kësaj jave të Këshillit të BE-së për Punë të Jashtme, ku Parisi u kundërvu heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës.
“Franca dhe Hungaria u kundërvunë dhe propozimi nuk kaloi. Hungarezët këtu i lavdërojnë të gjithë për shkak të (kryeministrit) Orbanit, por askush nuk po thotë se edhe francezët ishin në anën tonë, e ishin. Edhe italianët kanë dërguar letër që të hapet Kapitulli 3 në negociatat Serbi–BE. Pse nuk u thuani qytetarëve se Franca dhe Italia janë miqtë tanë, pavarësisht dallimeve rreth Kosovës”, tha Vuçiq.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të Serbisë që të mos i quajnë gjermanët “nazistë”, duke theksuar se kjo “jo vetëm që nuk është e vërtetë, por i shkakton dëm të madh Serbisë”.



