Vuçiq refuzoi t’i takojë, eurodeputetët sot në Beograd takohen me opozitën dhe shoqërinë civile

23 janar 2026 | 09:51

Një delegacion i eurodeputetëve po qëndron sot në Beograd, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, partive politike, mediave, shoqërisë civile dhe komunitetit akademik, në kuadër të vlerësimit të procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Siç ka bërë të ditur Parlamenti Evropian, delegacioni përbëhet nga nëntë anëtarë të Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) dhe udhëhiqet nga eurodeputetja portugeze Marta Temido. Ata do të diskutojnë me Qeverinë e Serbisë dhe përfaqësues të spektrit politik për reformat shtesë që, sipas BE-së, janë të domosdoshme për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit.

Eurodeputetët do të mbajnë takime të veçanta edhe me përfaqësues të mediave, organizatave të shoqërisë civile, instituteve kërkimore, universiteteve dhe studentëve.

Vizita bazohet në dy rezoluta të miratuara vitin e kaluar nga Parlamenti Evropian: Rezolutën e 7 majit 2025 për raportet e Komisionit Evropian mbi Serbinë për vitet 2023 dhe 2024, si dhe Rezolutën e 22 tetorit 2025 për polarizimin politik dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona nga shembja e një strehe.

Në këto dokumente, eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, korrupsionin, presionin ndaj mediave dhe dhunën ndaj protestuesve, duke e konsideruar udhëheqjen shtetërore politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit dhe dobësimin e institucioneve demokratike.

Rezoluta e tetorit u bën thirrje institucioneve të BE-së që të shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve individuale ndaj personave përgjegjës për shkelje të rënda të ligjit dhe të drejtave të njeriut, ndërsa dënon arrestimet selektive, përdorimin politik të faljeve presidenciale dhe presionin ndaj mediave të pavarura.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar akuzat për represion, korrupsion dhe shkelje të lirive demokratike. Ai ka deklaruar më herët se Serbia po bën përparim të vazhdueshëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se akuzat nga Parlamenti Evropian janë, sipas tij, të politizuara dhe të pabazuara.

Vuçiq ka theksuar se autoritetet serbe garantojnë lirinë e shprehjes dhe të tubimit, duke mohuar se shteti qëndron pas dhunës apo presioneve ndaj protestuesve, studentëve dhe mediave.

Në përbërje të delegacionit AFET janë përfaqësues nga grupet kryesore politike të Parlamentit Evropian, përfshirë Partinë Popullore Evropiane, Socialdemokratët, të Gjelbrit, liberalët dhe grupet konservatore.

Delegacioni do të qëndrojë në Beograd nga 22 deri më 24 janar dhe në përfundim të vizitës pritet të mbajë një konferencë për media. Pas kësaj vizite, eurodeputetët do të hartojnë një raport, ndikimi konkret i të cilit në procesin e integrimit evropian të Serbisë mbetet ende i paqartë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian (PE) sepse sipas tij, ata “mbërrijnë të paftuar” në Beograd.

Sipas mediave serbe, ai u tha gazetarëve gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi se nuk do të jetë në Serbi kur të arrijnë parlamentarët evropianë, pasi siç ka thënë ai “ka detyrime për të cilat është rënë dakord më parë, por se sigurisht nuk do të takohet me ta”.

“Urrejtësit e Serbisë u ulën dhe ranë dakord që do të vinin në Beograd dhe nuk na pyetën dhe as nuk na informuan. Ne nuk i thirrëm. Ata erdhën të paftuar (…) Kam edhe angazhime të tjera të planifikuara në Davos. Nuk po i shmang, por edhe nëse do të isha në Beograd, nuk do të takohesha me ta”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Ai tha se dëshiron të takohet “vetëm me njerëz që i dëshirojnë të mirën Serbisë dhe se do ta bëjë këtë në Davos”.

“Nuk po i shmang, nuk do të takohem me (Tonina) Pizzula, as me (Vladimir) Prebiliç, as me të gjithë ata. Nuk më shkon ndërmend të humbas kohë”, ka shtuar Vuçiq.

Ndërsa i pyetur nëse do të ketë pasoja, Vuçiq tha: “Do të ketë pasoja të tmerrshme, ata do të sjellin një deklaratë ose rezolutë tjetër”.

Edhe kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabiq thuhet se ka thënë të hënën se delegacioni i Parlamentit Evropian po shkon në Serbi pa ftesë dhe se ajo nuk do të takohet me ta pasi ata do të jenë në Estoni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe…