Vuçiq, trajnerit të Serbisë: Mposhteni Shqipërinë

20 maj 2025 | 14:20

Shqipëri-Serbi është më shumë se sa një sfidë futbolli, pavarësisht se palët e përfshira, dy federatat, përpiqen ta zbusin, pasi nuk dëshirojnë që historia të përsëritet, për më tepër që të dy federatat do të organizojnë së bashku “Euro 2027” për U21.

Pavarësisht këtij fakti, në aspektin sportiv dhe jo vetëm, Shqipëri-Serbi është një ndeshje që të dy ekipet përfaqësuese, të dy shtetet, kërkojnë ta fitojnë. Pak ditë pasi mori pjesë në samitin e Tiranës, ku u ul në tryezë me liderët e Evropës dhe u prit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, zgjodhi një tjetër skenë për t’i dhënë një “urdhër” simbolik trajnerit të kombëtares serbe, Dragan Stojkoviq, që ta mundë Shqipërinë në ndeshjen e 7 qershorit.

Në një tubim elektoral, Vuçiq falënderoi publikisht trajnerin e kombëtares serbe të futbollit, Stojkoviq, për mbështetjen e tij të hapur politike. Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte një deklaratë me tone të ashpra sportive, që në thelb mbante një ngarkesë politike.

“E pashë pak më parë dhe tani e shoh që është këtu, ju lutem duartrokitni fort trajnerin serb Dragan Stojkoviq, një legjendë e Nishit, i cili nuk u fsheh si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne këtu. Në qershor luani atje kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata!”, u shpreh Vuçiq. Deklarata e Presidentit vjen pikërisht në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi, që do të zhvillohet më 7 qershor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
L&M Group Partners SH.P.K. me nr. Unik Identifikues 812258300 bënë…