Vuçiqi: BE-ja të ndikojë më fuqishëm te Prishtina për taksën

18 janar 2019 | 14:49

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndikojë më fuqishëm te Prishtina për, siç tha, heqjen e taksës 100% mbi prodhimet e importuara nga Serbia.

Në një konferencë për media në Beograd, Vuçiqi ka kërkuar nga Prishtina që të heqë taksën, duke thënë se është e rëndësishme që të vazhdojë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve.

“E lus BE-në që kërkesat e saj ndaj palës shqiptare të jenë më të qarta dhe më specifike, jo sepse do t’iu gëzohesha atyre, por mendoj se e kemi shumë të rëndësishme të vazhdojmë të bisedojmë për serbët në Kosovë dhe për neve”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”.

Vuçiq ka thënë se ka dëgjuar nga Prishtina se qëllim kryesor i taksës është t’i sjellë Serbisë dëm ekonomik dhe politik.

“Nuk mendoj se disa njerëz, që e konsiderojnë veten burrështetas, kanë qasje serioze derisa bëjnë politikë për t’i bërë dëm dikujt”, ka thënë Vuçiq.

Qeveria e Kosovës u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnja qysh në muajin nëntor.

Ndonëse komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar heqjen e taksës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Vuçiq e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën me heqjen e taksës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur të premten në…