
Vuçiqi bisedon me Sorensenin në Pragë, thotë se është thelbësore kthimi te Asociacioni për vazhdimin e dialogut
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka njoftuar se është takuar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në Pragë ku po qëndron për forumin Forumin GLOBSEC.
Vuçiqi në një postim në “Instagram” ka thënë se me Sorensenin foli për vazhdimin e dialogut dhe pretendoi se ai është për “paqe” dhe për të “gjetur zgjidhje kompromisi”.
“Një bisedë kuptimplotë dhe konstruktive me Peter Sorensen, mbi vazhdimin e dialogut nën lehtësimin e BE-së, sfidat rajonale dhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Theksova se Serbia është plotësisht e përkushtuar për të gjetur zgjidhje kompromisi përmes dialogut, me respekt të plotë për partnerët ndërkombëtarë dhe me njohje të qartë të interesave të popullit tonë”, ka shkruar Vuçiqi.
Vuçiqi ka thënë se në këtë bisedë me Sorensenin ka theksuar se “për vazhdimin e dialogut është vendimtare kthimi në bazat e neglizhuara të çdo bisede të mëtutjeshme, siç është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“I jam mirënjohës përfaqësuesit special Sorensen për seriozitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij të sinqertë për paqen dhe bashkëpunimin, si dhe për mbështetjen që BE i ofron Serbisë në rrugën e saj evropiane. Jemi të bindur se vetëm me respekt dhe përgjegjësi reciproke mund të sigurojmë një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e rajonit”, ka shkruar Vuçiqi.
Në anën tjetër, Vuçiqi gjatë fjalimit të tij në forum ka thënë se “Beogradi nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës”.