Vuçiqi: Serbët në Kosovë nuk do të mbesin pa mbështetjen e Serbisë

07 nëntor 2022 | 15:13

Populli serb në Kosovë nuk do të mbetet pa mbështetjen e Serbisë sepse është e rëndësishme që ata të jenë të sigurt. Kështu ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Pa lëvizje të nxituara, gjithmonë me popullin tonë për të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Kjo është politika që ne ndjekim dhe që e zbatojmë çdo ditë. Ne vazhdojmë të mbrojmë interesat tona kombëtare, dhe në të njëjtën kohë luftojmë për çdo faktor që mund të sjellë përfitime, të na bëjë më të fortë dhe më të mirë”, ka shkruar Vuçiqi në “Instagram”.

Ai ka theksuar se beson që “ne do të kemi sukses në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit për popullin tonë dhe Serbinë tonë”.

Më 5 nëntor, zyrtarët serbë kanë njoftuar se do të largohen nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri të vendit, përfshirë nga policia, gjyqësori, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria.

Vendimi ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të mos largohen nga institucionet e Kosovës, sepse sipas tij, kështu dobësohen shërbimet për qytetarët.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se serbët do të kthehen në institucionet e Kosovës kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Prokurorial i Kosovës sot është njoftuar me ofrimin e…