
Vuçiqi shkon në samitin në Ukrainë dhe refuzon të nënshkruajë deklaratën që dënon agresionin rus
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë, që nga fillimi i agresionit rus, se “nuk e ka tradhtuar Rusinë” dhe se në samitin e mbajtur në Odesa nuk e ka nënshkruar deklaratën që dënon agresionin, pasi ajo bënte thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Ai tha se Serbia ka qëndruar neutrale dhe se askush nuk ka ushtruar ndonjë “presion të madh” ndaj tij që ta nënshkruante këtë deklaratë.
Sërish kam qenë i vetmi që nuk e kam pranuar deklaratën. Ndryshe nga ata që pranojnë çdo gjë kundër Rusisë, çdo gjë që munden”, tha Vuçiq më 11 qershor para gazetarëve në Odesa, ku mori pjesë në samitin Ukrainë – Evropa Juglindore.
Ai theksoi gjithashtu se është “krenar për politikën e Serbisë” dhe për “pavarësinë dhe vetëvendosjen” e saj. “Kështu do të vazhdojmë”, shtoi Vuçiq.
Deklarata, e nënshkruar në samitin e Odesës nga liderë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë nga Rumania, Moldavia, Greqia dhe Kroacia, dënon agresionin rus, bën thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe dënon krimet e luftës të kryera nga Rusia, sipas agjencisë AFP.
Dokumenti, ndër të tjera, i bën thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga Ukraina dhe dënon dëbimin e mijëra civilëve ukrainas, përfshirë fëmijë, për në Rusi.
Gjatë fjalimit të tij në samit, presidenti serb deklaroi se Serbia do të vazhdojë të respektojë të drejtën ndërkombëtare, përfshirë “mbrojtjen e integritetit territorial të vendeve që janë të njohura nga Kombet e Bashkuara”.
“Gjithmonë kemi mbrojtur këtë qëndrim dhe do të qëndrojmë të palëkundur në këtë pikë. Mendoj se në një mënyrë kjo mund të jetë edhe e dobishme për Ukrainën”, tha Vuçiq.
Në një deklarim për gazetarët, ai shtoi se e ka falënderuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për “respektimin e plotë të Kartës së OKB-së dhe të integritetit territorial të Serbisë”.
“Dhe këtu nuk kishte Prishtinë dhe përfaqësues të Prishtinës”, tha Vuçiq.
Në fjalimin e tij në samitin në Odesë, ai deklaroi gjithashtu se Beogradi “do të dëshironte të ndihmonte në rindërtimin e një ose dy qyteteve apo një rajoni të vogël” në Ukrainë, si shenjë mbështetjeje për qytetarët ukrainas.
Në fillim të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Serbia kishte shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, por deri më sot ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës.
Zyrtarët serbë kanë vazhduar të ruajnë lidhjet me Rusinë, dhe Vuçiq ishte më 9 maj në Moskë, në Paradën e Fitores me rastin e 80-vjetorit të fitores mbi fashizmin. Atje, ai u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.
Presidenti serb publikoi në një postim profilin e tij në Instagram se më 11 qershor, ku thuhej se në Odesa ishte angazhuar për intensifikimin e dialogut dhe arritjen sa më të shpejtë të paqes.
Në margjinat e samitit, ai u takua edhe me presidentin e Ukrainës. “Shkëmbyem mendime për rëndësinë e arritjes së paqes afatgjatë dhe të qëndrueshme, respektimin e të drejtës ndërkombëtare, si dhe për rolin e diplomacisë në kapërcimin e konflikteve”, shkroi Vuçiq në Instagram, postim që e shoqëroi me një fotografi me Zelenskyn.
Ai shtoi se biseduan edhe për çështje ekonomike dhe për qëllimet e përbashkëta në drejtim të forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme shoqërore.
Gjatë tre vjetëve luftë, Serbia ka thënë se ka një politikë të neutralitetit dhe ka mohuar se furnizon me armë palët e përfshira në konflikt.
Megjithatë, Shërbimi i Jashtëm i Sigurisë së Federatës Ruse më 28 maj e akuzoi Serbinë se, “pavarësisht deklaratës zyrtare për neutralitet”, Beogradi vazhdon të furnizojë Ukrainën me municione dhe se me këtë po e “godet Rusinë pas shpine”.
Reagimi nga Moska erdhi pasi për vite me radhë media të ndryshme kishin raportuar se armë dhe municione serbe, përmes vendeve të treta, kanë përfunduar në duart e ushtarëve ukrainas.
Beogradi zyrtar ka mohuar disa herë që Serbia ka eksportuar drejtpërdrejt armë në Ukrainë apo Rusi, si dhe ka theksuar se nuk mund të ndikojë në atë se ku përfundojnë armët e shitura përmes ndërmjetësve.
Pas deklaratës së shërbimit rus, Vuçiq tha se do të ndërpriten kontratat për shitjen e armëve dhe municioneve kur të ketë dyshime për abuzim dhe dërgim të tyre në frontin ukrainas./RadioEvropaeLirë