
Vuloset fati i Sean “Diddy” Combs, dënohet me 4 vite e dy muaj burg
Sean “Diddy” Combs është dënuar 4 vite e dy muaj burg për dy akuzat e Aktit Mann, transportim me qëllim prostitucionin.
Veç dënimit me burg, gjykata vendosi një gjobë maksimale prej 500 mijë dollarësh.
Pasi ai përfundoi fjalimin, gjykatësi Arun Subramarian i tha Combs se do të merret në konsideratë e gjithë historia e tij, që nga akuzat, te kontributi artistik e komunitar dhe përparimi i tij.
Ai e bëri të qartë se ai dënimi bazohet mbi Aktin Mann dhe jo për trafikimin seksual dhe mashtrimin për para, akuza që më parë rëndonin mbi të, por u rrëzuan në seancën e korrikut.
Subramanian tha se e vlerëson faktin që Sean “Diddy” Combs është një artist dhe biznesmen “self-made” që “ka frymëzuar komunitete” dhe theksoi se puna dhe ndikimi i tij “njihen dhe janë ikonike”. Njëkohësisht shtoi se është edhe më mbresëlënëse për shkak të vështirësive gjatë rritjes së tij.
Gjykatësi vijoi se nuk ka dyshim që reperi është i përkushtuar ndaj familjes. Por, ai “refuzoi përpjekjen e palës mbrojtëse për t’i cilësuar festat e seksit dhe netët e hotelit si përvoja intime me dakordësim ose thjesht një histori ‘seksi, droge dhe rock n’ roll’”.
“Një historik me vepra të mira s’mund ta fshijë pushtetin dhe kontrollin që ti kishe mbi gratë që u thoshe se i doje. Ti i abuzove fizikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht dhe i përdore për të arritur qëllimet e tua.”
Subramanian shtoi se ishte “i ulur aty kur dëgjoi Cassie Ventura dhe Jane”.
“E lexuam në mesazhe dhe email-e. E pamë në fotot e të çarave, mavijosjeve, dyerve të thyera, pamë videon e rrahjes së dhunshme të Ventura”, tha ai.
Megjithatë, nuk është i bindur se historia nuk do të përsëritet dhe nevojitet “një dënim i konsiderueshëm për t’u dërguar një mesazh abuzuesve dhe viktimave se abuzimi ndaj grave përgjigjet me përgjegjësi të plotë.”
Sipas tij, veprimet e Combs “dëmtuan dy gra në mënyrë të pariparueshme” dhe ato e ndiejnë edhe sot.
Arun Subramanian tha se dënimi i Sean “Diddy” Combs është “periudhë e vështirë” larg familjes, por nënvizoi se ai do të ketë një jetë pas kryerjes së dënimit.
Më tej, falënderoi viktimat, Cassie Ventura dhe Jane, që ndanë historinë e tyre. “Së pari dua t’ju them që ju dëgjuam”, ndërsa shtoi se të gjithë janë krenarë për to. “Ju po flisnit për miliona gra atje që kanë qenë viktima, por ndihen të padukshme, të pafuqishme dhe iu është dashur të vuajnë në heshtje. U thatë atyre grave dhe botës se dhuna pas dyerve të mbyllura s’ka pse të qëndrojë e fshehur përgjithmonë. Numri i njerëzve që prekët është i pallogaritshëm.”
Pasi dorëzoi vendimin, gjykatësi iu drejtua për herë të fundit Sean “Diddy” Combs duke i thënë se e di që është në një “vend të errët” tani, por bashkë me familjen e tij do ta kalojë.
“Ka dritë në fund të tunelit”, tha gjykatësi.