Vushtrria nis fushatën kundër braktisjes së shkollimit
Në kuadër të Javës kundër Braktisjes së Shkollimit, Drejtoria Komunale e Arsimit në Vushtrri ka organizuar një tryezë diskutimi me nxënës të arsimit të mesëm të ulët dhe atij të lartë, me qëllim sensibilizimin rreth rëndësisë së vijimit të rregullt të mësimit dhe parandalimit të braktisjes së shkollës.
Në këtë aktivitet mori pjesë kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, si dhe drejtori i Arsimit, Albanez Tahiraj. Ata theksuan se arsimi mbetet e drejtë themelore e çdo fëmije, ndërsa shkolla konsiderohet hapësirë e sigurisë, zhvillimit dhe mundësive të barabarta, përcjell Telegrafi.
Kryetari Idrizi kërkoi angazhim të vazhdueshëm nga institucionet, prindërit dhe komuniteti, duke theksuar se parandalimi i braktisjes kërkon veprim të koordinuar dhe mbështetje për çdo fëmijë që rrezikon të largohet nga procesi mësimor.
Nga ana tjetër, drejtori Tahiraj tha se aktivitete të tilla sensibilizuese janë thelbësore për t’i ndërgjegjësuar nxënësit për rëndësinë e arsimit dhe ndikimin që braktisja mund të ketë në të ardhmen e tyre.
Pjesëmarrësit vlerësuan se ndërhyrjet e hershme dhe bashkëpunimi me shkollat janë çelësi për uljen e rasteve të braktisjes së shkollimit, duke ripërsëritur mesazhin që përçoi edhe kjo ngjarje: “Asnjë fëmijë jashtë shkollës, asnjë braktisje”.



