Walkeri nderohet me titullin ‘Krenaria e kombit shqiptar’
Dega e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit, kanë nderuar ish-ambasadorin William Walker me titullin “Krenaria e Kombit Shqiptar”.
Selim Lokaj, kryetar nderi i Lidhjes së Historianëve, Dega në Deçan, ka thënë se janë të nderuar që i ndajnë këtë titull njeriut që i ndihmoi shumë Kosovës.
Ndërsa kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se Walkeri është shndërruar në figurë të paqes dhe promovues i lirisë në botë.
Në anën tjetër, ambasadori William Walker, ka thënë se për këto 21 vjet është mishëruar me popullin e Kosovës.
Ai ka thënë se nuk e ka të lehtë ta harrojë masakrën e Reçakut, të cilën e kishte parë nga afër.
“Nuk është hera e parë që kam ardhur në Deçan dhe jam i nderuar gjë jem këtu nga zyrtarë të ndryshëm. Kur flasin për Kosovën nuk është lehtë për mua të harroj dhe nuk jam shumë i përfshirë në atë që ndodhë këtu. Jam i turpëruar që pas 21 viteve që vi këtu dhe nuk i njoh shumë gjuhën shqipe di vetëm, mirëdita dhe faleminderit. Në 21 vitet e fundit kanë mësuar të flasin anglisht dhe dje në Reçak mijëra, mijëra njerëz, dhe fëmijë të vegjël kur më pyesnin për një foto me mua të gjithë flisnin anglisht. Dëshiroj të ju falënderoj në emër të Clintonit për respektin që keni për të”, ka thënë ai
Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, masakrën e Reçakut e ka quajtur krim kundër njerëzimit, duke sensibilizuar kështu faktorin ndërkombëtar për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.



