Wayne Rooney paralajmëron Artetan: Nëse Arsenali nuk fiton titullin, do të shkarkohet
Ish-ylli i Manchester United, Wayne Rooney, ka lëshuar një paralajmërim të fortë për trajnerin e Arsenalit, Mikel Arteta duke thënë se spanjolli rrezikon shkarkimin nëse dështon sërish ta fitojë Ligën Premier.
Arsenali, që ka përfunduar si nënkampion në tre sezonet e fundit, ndodhet aktualisht katër pikë përpara në krye të tabelës, pas një fillimi mbresëlënës me shtatë fitore në nëntë ndeshjet e para.
Fitorja 1-0 ndaj Crystal Palace të dielën i zgjati serinë e pamposhtur në dhjetë ndeshje dhe shënoi të pestën radhazi pa pësuar gol.
Duke folur në podcastin e tij në BBC, Rooney tha se Arteta nuk ka më justifikime.
“Arsenali ka një skuadër shumë të mirë dhe lojtarë cilësorë. Arteta ka qenë shumë pranë disa herë, por tani nuk ka rrugë tjetër – duhet ta fitojë ligën”.
Sipas Rooneyt, presioni mbi Artetën është më i madh se kurrë: “Në vitet e tjera, pikët që kanë mbledhur do të kishin mjaftuar për titull. Por këtë herë, nëse e humb sërish, mendoj se do të jetë fundi për të. Ka një ekip të kompletuar – fizik, solid në mbrojtje dhe shumë i rrezikshëm në sulm”.
Arsenali nuk ka fituar Ligën Premier që nga viti 2004, por Rooney beson se ky mund të jetë sezoni i madh i “Topçinjve”.
“Mendoj se janë gati. Ekipi ka përvojë, ka cilësi dhe këtë herë nuk kanë më arsyetime. Duhet ta çojnë deri në fund”, shtoi ai.




