
Weah e fton Zhegrovën t’i bashkohet Marseilleit
Olympique Marseille vazhdon të përforcojë skuadrën duke synuar sërish në radhët e Lille. Pas transferimit të Angel Gomes si lojtar i lirë në fillim të verës dhe huazimit të Timothy Weah nga Juventusi, klubi francez ka vendosur në “radar” edhe emrin e Edon Zhegrovës.
Anësori ofensiv nga Kosova, i cili ka kontratë me Lille deri në vitin 2026, është një objektiv konkret për Marseille, që po punon për ta marrë në “Stade Velodrome”. Nëse transferimi finalizohet, Zhegrova do të bëhej ish-lojtari i tretë i Lille që i bashkohet OM gjatë kësaj vere.
Në konferencën e tij të prezantimit si futbollist i Marseille, Timothy Weah, dikur shok ekipi me Zhegrovën te Lille, shprehu dëshirën për ta parë atë në Francën jugore: “Do të më duhet të bëhem agjent sekret për ta bindur? Sigurisht! Por mendoj se nuk do të jetë e nevojshme: trajneri, drejtuesit, presidenti… të gjithë flasin me zemër. Kjo më bindi mua, dhe besoj se do ta bindë edhe atë”.
Lille kërkon rreth 15 milionë euro plus 5 milionë në formë bonusesh për kartonin e Zhegrovës, shifër jo e vogël duke pasur parasysh se lojtari është në vitin e fundit të kontratës. Megjithatë, Marseille duket e vendosur ta mbyllë këtë operacion, i nxitur edhe nga vullneti i lojtarit për një aventurë të re dhe nga mbështetja që po merr nga Weah dhe dhoma e zhveshjes marsjejeze. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Edon Zhegrova mund të bëjë hapin e radhës në karrierën e tij dhe të luajë për një nga klubet më të mëdha të Francës.