Wolff e mbron Hamiltonin: Është më i miri i të gjitha kohërave

05 gusht 2025 | 12:31

Fundjava e Çmimit të Madh të Hungarisë në Formula 1 solli jo vetëm spektakël në pistë, por edhe emocione të forta jashtë saj. Ndërsa pista shënoi një duel dramatik mes McLarenit të Lando Norris dhe Oscar Piastrit, dhe u pa talenti i të rinjve si Gabriel Bortoletto krahas veteranit Fernando Alonso, vëmendjen më të madhe e tërhoqi një emër i zakonshëm: Lewis Hamilton. Piloti britanik i Ferrarit, i zhgënjyer thellë pas një gare kualifikuese të dobët, reagoi me fjalë të ashpra ndaj vetes: “Jam i padobishëm. Ferrari ka nevojë për një pilot tjetër”.

Këto deklarata, të bëra të shtunën, ngritën pikëpyetje mbi të ardhmen e tij në Formula 1 dhe te “Kokëkuqja”. Pas garës, ku Hamiltoni nuk arriti të përmirësonte pozicionin dhe mbeti jashtë zonës së pikëve, ai nuk i tërhoqi komentet e mëparshme.

“Kur ke një ndjesi të keqe, e ndien”, ka deklaruar ai për “Sky Sports F1”, duke shtuar se shumë gjëra negative po ndodhin në prapaskenë. Ai shprehu lodhje mendore dhe tha se po e pret me padurim pushimin veror, edhe pse vazhdon të kënaqet me garat. Në mbrojtje të Hamiltonit doli ish-shefi i tij te Mercedesi, Toto Wolff, i cili e përshkroi si një pilot me ndjeshmëri të lartë dhe ndershmëri emocionale: “Ky është Lewis, e ka zemrën në buzë”. “Ai e fajëson gjithmonë veten. Por ai është më i miri i të gjitha kohërave dhe asgjë nuk mund t’ia marrë këtë status”, u shpreh Wolff.

Sipas Wolff, Hamiltoni ka ende misione të papërfunduara në Formula 1 dhe, ndonëse stili i tij nuk është përshtatur mirë me makinat me efektin e ri aerodinamik që nga viti 2022, ndryshimet që priten në sezonin e ardhshëm mund ta rikthejnë britanikun në majë.

Drejtori i Mercedesit shprehu bindje se Hamiltoni do të vazhdojë të luftojë për titullin e tetë botëror, nëse ka një makinë që i përshtatet. “Po, ai ka ende motivim, pa diskutim”, ka përfunduar Wolff, duke hedhur poshtë zërat për një tërheqje të mundshme të kampionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ambasadorin…