
Xhafës i bëhet llugë në Vushtrri – kundër tij edhe ish-kryetari i Degës
REAGIM:
Si ish kryetar shumëvjeqar i Degës dhe Kryetar Nderi i Degës së LDK-së në Vushtrri, ndjej detyrim moral dhe politik të shpreh qëndrimin tim lidhur me veprimet e fundit të kryetarit aktual të degës, i cili ka ndërmarrë hapa për krijimin e një koalicioni pa konsultuar organet e partisë dhe në kundërshtim me statutin e LDK-së.
Ky veprim, përveçse bie ndesh me frymën institucionale të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëmton parimet e demokracisë së brendshme dhe respektin ndaj strukturave legjitime të partisë.
Sot edhe qendra e LDK-së reagoi qartë duke mos e mbështetur një veprim të tillë, gjë që e bën edhe më të domosdoshme kthimin në rrugën e rregullt statutare.
Dje, kryetari i degës ka ftuar në takim vetëm asambleistët e zgjedhur, duke i lënë anash strukturat e tjera të partisë dhe organet e saj legjitime. Edhe më shqetësuese është fakti se, sipas informatave të konfirmuara, të pranishmit janë vënë në lajthitje me pretendimin se ky takim dhe vendimi për bashkëpunim politik kanë marrë aprovimin nga qendra e LDK-së gjë që sot u demantua qartë nga vetë qendra, e cila nuk e mbështet një veprim të tillë.
Megjithatë, pavarësisht mospajtimeve, unë si ish-kryetar dhe si anëtar që kam dhënë shumë për këtë degë, bëj thirrje për unitet, maturi dhe kthim te vlerat që e kanë bërë LDK-në shtëpi të përbashkët të të gjithë atyre që besojnë në demokraci, ligj dhe përgjegjësi.
Koha është për reflektim dhe bashkim, jo për ndarje.
LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh, dhe vetëm përmes respektimit të statutit dhe vendimmarrjes së përbashkët mund ta ruajmë forcën dhe besimin e qytetarëve.
Dr.Hysni Gërguri
Ish-Kryetar i Degës
Kryetar Nderi i Degës së LDK-së në Vushtrri